Foto: Kallxo.com

Prishtina mbetet pa mjekë për shkak të mbylljes së çerdheve

Bujar Gashi, drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë ka deklaruar se vendimet e nivelit qendror po ndikojnë në mungesën e stafit mjekësor.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se është dashur që prindi që punon në institucion shëndetësor të mos lirohet nga puna.

“Vendimet e nivelit qendror kanë ndikuar në mungesën e vazhdueshme të stafit mjekësor dhe vendimi i fundit për mbylljen e çerdheve, ku në pikën 21 thotë se, nëse dy prindërit janë në marrëdhënie pune, njëri prej tyre duhet të lirohet, është dashur edhe pika tjetër ku, në rast se njëri prind është punëtor i një institucioni shëndetësor të lirohet tjetri”, ka thënë Gashi.

Gashi potencoi se janë minus 50 mjekë në Prishtinë dhe kanë mbyllur radiologjinë në lagjen ‘Dardania’ për shkak se nuk ka staf.

“Vetëm sot 20 punëtorë i kemi liruar nga puna që i kanë fëmijët në çerdhe. Për shkak të mungesës së punëtorëve është dashur ta mbyllim radiologjinë që QMF 5 në lagjen ‘Dardania’ sepse kanë shkuar në shtëpi të kujdesen për fëmijë. Përpos kësaj kemi 15 shtatzëna në pushim, pra jemi 50 punëtorë minus”, shtoi tutje Gashi.

Drejtori i QKMF tha se për këtë janë detyruar të mbyllim qendra të vogla të shëndetësisë dhe të bartin stafin në qendra të mëdha.