Ujmani

Foto : Denis Sllovinja

Pretendimi i rremë se aeroplanë të NATO-s fluturuan mbi Liqenin e Ujmanit

Gjatë muajit prill në rrjetin social “Tik-Tok” janë publikuar pamje të rreme në të cilat pretendohet se aeroplanë të NATO-s kanë fluturuar mbi Liqenin e Ujmanit .

Më 15.04.2024 faqja në “Tik-Tok” “Azempajaziti” ka publikuar një video ku shihen disa aeroplanë luftarakë duke fluturuar mbi një liqe.

Videoja ka edhe një përshkrim ku thuhet: “Avionat e NATO-s mbi Ujman te Kosovës”.

Materiali pretendon se aeroplanët që shihen janë të NATO-s dhe të njëjtit kanë fluturuar në territorin e Kosovës në kufi me Serbi, përkatësisht në Zubin Potok te zona e Liqenit të Ujmanit.

Por, videoja që pretendon se aeroplanët e NATO-s fluturojnë mbi Ujman është e pavërtetë.

Në një deklaratë për Krypometër, më 27.05.2024, zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Rajonit Mitrovicë-Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani, e ka mohuar një gjë të tillë.

“Nuk është e vërtetë, nuk ka pasur aeroplanë të NATO-s mbi Ujman” – ka thënë Elshani për Krypometër.

Kontrollin e hapësirës ajrore në Kosovë e monitoron edhe Agjencia për Navigimin Ajror.

Kjo Agjenci është e njoftuar për secilin fluturim të fluturakeve në vend, përfshirë dronët.

KALLXO.com ia ka dërguar materialet filmike kësaj Agjencia dhe ajo në një përgjigje me shkrim ka konfirmuar se filmimet nuk janë bërë në Kosovë.

“Incizimet që keni dërguar nuk janë incizime të bëra në hapësirën ajrore të Republikës së Kosovës” – thuhet në përgjigjen e ASHNA.

Falsifikimi i pamjeve është i ndaluar me kodin e etikës të Këshillit të Mediave të Shkruara në Kosovë.

Përdorimi i pamjeve pa të drejtë të autorit ndalohet edhe me rregullat e Komunitetit të rrjeteve sociale.