Presidentja Osmani u takua me princin William, diskutojnë për bashkëpunimin mes dy vendeve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar sot me Princin William të Uellsit.

Osmani ka thënë se diskutimet e tyre u fokusuan në bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Ky takim është zhvilluar në kuadër të të ceremonisë Earthshot Prize në Singapor.

“Kënaqësi të takoj sërish Princin William të Wales-it, në kuadër të ceremonisë Earthshot Prize në Singapor. Diskutimet tona u fokusuan në bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar në tema si përkrahja e rinisë në projekte të agjendës së gjelbër si dhe në projekte për ndërgjegjësimin rreth çështjeve që lidhen me shëndetin mendor”- ka thënë Osmani.

Dje, presidentja Vjosa Osmani ka udhëtuar për vizitë pune në Singapor, ku do të takohet me presidentin e Sinaporit, Tharman Shanmugartnam dhe kryeministrin, Lee Hsien Loong.

Osmani do të jetë folëse edhe në një forum atje dhe e ftuar në një ceremoni të organizuar nga Princi Willian i Wales-it.

Sipas njoftimit, Presidentja Osmani bashkë me biznese kosovare në Bloomberg, do të jenë edhe pjesë e një tryeze për tregtinë, investimet dhe mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Singaporit.