Vjosa Osmani dhe Jeff Hovenier. Foto: Zyra e Presidences/Facebook

Presidentja Osmani takoi ambasadorin Hovenier, biseduan edhe për marrëveshjen e Bratisllavës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier.

Sipas njoftimit të Presidencës, në këtë takim u bisedua për zhvillimet në vend dhe vijueshmërinë e hapave konkretë që po ndërmerren në përputhje me atë se çfarë është dakorduar në Bratisllavë.

“Në takim u diskutua edhe për projektet zhvillimore të cilat po realizohen nga ShBA-të në Kosovë, përkrahjen e SHBA-ve për sektorin e sigurisë si dhe rëndësinë e shtimit të bashkëpunimeve të tilla në fusha të interesit të përbashkët” – thuhet tutje.

Më 12 korrik 2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte shpalosur pikat për të cilat ishin dakorduar zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi dhe emisari i Bashkimit Evropian për dialog, Mirosllav Lajçak, në Bratisllavë.

Kryeministri kishte thënë se Bislimi kishte arritur dakordim me Lajçakun për katër pika për shtendosje të situatës në veri.

Marrëveshja parashihte zvogëlim për 25 për qind të pranise policore në ndërtesat dhe rreth objekteve komunale në veri, gjë që edhe ka ndodhur.

Për pikën e dytë, Kurti kishte njoftuar se janë dakorduar që Policia e Kosovës në varësi të rrethanave bashkë me EULEX-in dhe KFOR do të vlerësojnë gjendjen e sigurisë me synimin që eventualisht të shihen mundësitë për zvogëlim të mëtejmë të pranisë policore në ndërtesat komunale dhe në afërsi të tyre.

Për pikën e tretë, kryeministri ka treguar se janë dakorduar që Qeveria e Kosovës do të bëjë një deklaratë publike ku mbështet mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në ato komuna.

Ndërkaq për pikën e fundit, kreu i ekzekutivit tha se ka të bëjë me ftesën që BE do të dërgojë për dy kryenegociatorët të cilët do të ftohen në Bruksel për të finalizuar planin e implementimit për marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.