Vjosa Osmani - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Presidentja Osmani ka udhëtuar për vizitë në Panama dhe në Kosta Rika

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për një vizitë zyrtare në Panama dhe në Kosta Rika.

Në komunikatën për media të Presidencës, bëhet e ditur se Osmani ka udhëtuar fillimisht në Panama për vizitë zyrtare, për të vazhduar më pas në Kosta Rika.

Osmani do të pritet në takim nga homologu Laurentino Cortizo Cohen dhe pritet të marrë pjesë në ceremoninë e zbulimit të shtatores së Nënë Terezës.

“Gjatë vizitës në Panama, Presidentja Osmani do të pritet në takim nga homologu Laurentino Cortizo Cohen, teksa do të zhvillojë takime edhe me institucione dhe organizata të tjera. Në këtë vizitë, Presidentja Osmani pritet të marrë pjesë në ceremoninë e zbulimit të shtatores së Nënë Terezës, si dhe në një Forum të përbashkët me ministren e punëve të Jashtme të Panamasë, znj. Erika Mouynes”, thuhet në komunikatë.

Sipas njoftimit, pas vizitës në Panama, presidentja Osmani me ftesë të  presidentit të Kosta Rikës do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të ri të këtij shteti.

“Pas vizitës në Panama, Presidentja  me ftesë të presidentit të Kosta Rikës, do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të ri të këtij shteti, z. Rodrigo Chaves. Kosta Rika sipas datës së njohjes, është ndër vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ndërsa vizita e Presidentes Osmani është e para e një lideri të Kosovës në këtë shtet”, njofton Presidenca.

Në komunikatë po ashtu bëhet e ditur se në kuadër të kësaj vizite, Osmani pritet të ketë edhe takime tjera.