Gërvalla bisedoi me homologët e saj nga Kosta Rika dhe Brukina Faso

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka zhvilluar takime të ndara në formë virtuale, me homologët e saj nga Kosta Rika dhe Burkina Faso.

Sipas komunikatës së MPJD-së, gjatë takimit me ministrin e Jashtëm të Kosta Rikës, Rodolfo Solano Quirós, ministrja Gërvalla ka theksuar se Kosova e vlerëson lart faktin që Kosta Rika ishte një prej vendeve të para që njohu pavarësinë e Kosovës dhe së bashku konsideruan se raportet mes të dyja vendeve janë mjaft të mira.

“Ajo e njoftoi kryediplomatin e Kosta Rikës lidhur me angazhimet e qeverisë së Kosovës për të krijuar klimë të përshtatshme për investitorët e huaj. Palët biseduan për bashkëpunim bilateral, duke parë nevojën që të thellohet bashkëpunimi në fushën e ekonomisë, arsimit dhe kulturës”, thuhet në komunikatë.

Gërvalla ka zhvilluar një bisedë edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Burkina Fasos, Alpha Barry, me të cilin kanë folur për mundësinë e bashkëpunimit bilateral në fusha me interes të përbashkët.
“Posaçërisht u diskutuan mundësitë për shkëmbim përvojash në sektorin e shëndetësisë dhe atë të mbrojtjes”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, të dy homologët e Gërvallës, paraqitën qëndrim mbështetës të shteteve që përfaqësojnë karshi Kosovës, veçanërisht për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.