Foto: Presidenca e Kosovës

Vjosa Osmani ka takuar presidentin e ri të Kosta Rikës

Në San Jose, presidentja e vendit, Vjosa Osmani Sadriu, është takuar me presidentin e ri të Republikës së Kosta Rikës, Rodrigo Chaves.

Siç bëhet e ditur në komunikatën e Presidencës, Osmani i ka përcjellë urimet më të mira presidentit Chaves në marrjen e përgjegjësive të detyrës së tij të re, udhëheqjes së popullit dashamir e paqedashës të Kosta Rikës drejt një të ardhmeje të begatë e të sigurt.

“Presidentja Osmani dhe Presidenti Chaves janë pajtuar që marrëdhëniet bilaterale në mes të dy vendeve tona të thellohen, duke përfshirë bashkëpunimin në politikën e jashtme dhe rritjen e shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare”, thuhet në komunikatë.

Tutje sipas komunikatës, presidentja Osmani e ka njoftuar presidentin Chaves për progresin e Kosovës në fusha të ndryshme si dhe për përgatitjet për aplikim më organizata ndërkombëtare.

“Populli i Kosovës i është gjithmonë mirënjohës Kosta Rikës si një ndër shtetet e para që njohën pavarësinë tonë, pikërisht në ditën kur Republika e Kosovës filloi kapitullin e saj të ri si një shtet i pavarur e sovran”, citohet të ketë thënë presidentja Osmani.

Vizita e Osmanit në Kosta Rika vjen pas asaj që presidentja e zhvilloi ditë me parë në Panama, ku edhe u prit nga homologu e saj.

https://kallxo.com/lajm/presidentja-osmani-ka-udhetuar-per-vizite-ne-panama-dhe-ne-kosta-rika/