Presidenti dhe kryeministri i Shqipërisë e urojnë Kosovën për përvjetorin e pavarësisë

“Histori suksesi në Ballkan” e ka quajtuar Kosovën, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj në urimin për 16-vjetorin e pavarësisë së saj.

Kreu i shtetit shqiptar shkroi më 17.02.2024, se Kosova është histori suksesi në respektimin e të drejtave të njeriut me kulturën e saj të gjallë dhe energjinë rinore të një populli që sheh përpara.

“Kosova, shtet i pavarur, është një faktor pozitiv, paqedashës dhe i rëndësishëm për sigurinë në rajonin tonë. Jemi dy shtete, por një komb me një gjuhë e një kulturë” – ka shkruar Begaj në Facebook.

Në këtë urim, ai tha se duhet të shfrytëzohet mundësia e artë për të treguar se Kosova e Shqipëria janë të afta të ndërtojnë shtete moderne, sipas parimeve demokratike dhe në bashkëpunim me ShBA-në e Bashkimin Europian.

Më i shkurtër në urim është treguar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Gëzuar Pavarësinë Kosovë” – ka shkruar ai krahas një fotografie të ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës gjatë një parakalimi në sheshin e Prishtinës.

Kosovën, në këtë përvjetor e kanë uruar edhe shumë liderë shtetesh dhe përfaqësues diplomatik.

Republika e Kosovës sot, 17.02.2024, shënon 16 vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Për nder të kësaj dite, institucionet qendrore dhe lokale kanë paraparë një varg aktivitetesh.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17.02.2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë.

Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Deklarata e Pavarësisë ishte lexuar nga Hashim Thaçi, i cili në atë kohë ishte kryeministër i Kosovës.