Presidenti amerikan Joe Biden i quan komentet e Trumpit për NATO-n ‘injorante, 'të turpshme' dhe 'të rrezikshme'
Presidenti amerikan Joe Biden i ka kritikuar ashpër deklaratat e Donald Trump që flasin për tërheqjen e SHBA-së nga aleanca ushtarake e NATO-s, duke i cilësuar ato si injorante, të turpshme dhe të rrezikshme. Biden mbajti një fjalim të ashpër duke e targetuar rezistencën republikane ndaj legjislacionit që ka si qëllim ta mbështesë Ukrainën kundër agresionit të mundshëm rus.
Vërejtjet e Trump, të cilat sugjeronin inkurajimin e Rusisë për t’i sulmuar aleatët e NATO-s që nuk e kanë përmbushur atë që ai i konsideronte si kontribute të drejta të financimit të NATO-s, ngritën shqetësime midis liderëve evropianë, të cilët kanë frikë nga implikimet e një presidence të dytë të mundshme të Trump.
Pas miratimit të projektligjit për ndihmën e huaj, i cili përfshin gjithashtu ndihmën për Izraelin dhe Tajvanin, përmes Senatit, Biden u bëri thirrje republikanëve hezitues që ta mbështesin legjislacionin në Dhomën e Përfaqësuesve.
Biden e dënoi komentet e Trump për nxitjen e republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve që ta kundërshtojnë projektligjin dhe për pozicionimin e tij ndaj Rusisë dhe NATO-s, duke e vënë theksin tek natyra e paprecedentë e një ish-presidenti amerikan që bën komente të tilla.
Biden e ka nënvizuar rëndësinë e mbajtjes së angazhimeve, duke e përshkruar NATO-n si një premtim të shenjtë. Megjithatë, perspektivat e projektligjit në Dhomën e Përfaqësuesve janë të pasigurta, me kryetarin republikan të Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, duke e refuzuar atë në mënyrë efektive për shkak të mungesës së dispozitave të zbatimit të kufirit.
Pavarësisht qëndrimit të Johnson-it, shumë e konsiderojnë ironi duke pasur parasysh se opozita e mëparshme republikane, e ndikuar nga Trump, e kishte penguar një projekt-ligj të ngjashëm ndihme që përfshinte një marrëveshje dypartiake imigracioni për ta adresuar krizën kufitare SHBA-Meksikë.
Konservatorët kishin këmbëngulur në lidhjen e paketës së ndihmës së huaj me masat e sigurisë kufitare, por shqetësimet për rolin e imigracionit në zgjedhjet e ardhshme dhe emërimi i mundshëm i Trump rezultuan me hezitim brenda partisë.
Biden ka nënvizuar gjithashtu një pjesë të paketës së miratuar nga Senati që ka si qëllim të ndihmojë mbrojtjen e Izraelit kundër grupeve si Hamasi dhe Hezbollahu, ndërkohë që ofron ndihmë humanitare për palestinezët në nevojë.
Ky aspekt i projektligjit synonte t’i adresonte shqetësimet brenda vetë partisë së Bidenit, pasi tre senatorë, duke përfshirë dy demokratë dhe Bernie Sanders, votuan kundër tij, duke e përmendur mbështetjen e Biden për veprimet ushtarake izraelite në territoret palestineze./The Guardian
Përgatiti: Nuhi Shala