Presidenti afgan, Ashraf Ghani/rel/

Presidenti afgan largohet nga Afganistani

Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani, është larguar nga vendi.

Kështu raporton BBC, e cila citon raportime të mbështetura në deklarata të zyrtarëve.

Largimi i presidentit, nëse ka ndodhur, ndodh për shkak të përparimit të talibanëve, të cilët pasi kanë marrë nën kontroll pjesën më të madhe të vendit, sot në mëngjes kanë hyrë edhe në kryeqytet, Kabul.

Ka raportime se edhe zëvendëspresidenti Amrullah Saleh ka ikur nga vendi.

Presidenti Ghani ishte nën presion për të lënë pushtetin pasi që qytetet më të mëdha të Afganistanit binin njëri pas tjetrit në duart e militantëve talibanë në 10 ditët e fundit.

Mediat ndërkombëtare raportojnë se talibanët janë zotuar se nuk do ta marrin Kabulin përmes forcës, teksa bisedimet me zyrtarët e lartë afganë kanë filluar, për siç është thënë, transferimin e pushtetit në mënyrë paqësore.

Ministri në detyrë i Brendshëm i Afganistanit, Abdul Satar Mirzakwal tha përmes një video-mesazhi më 15 gusht se do të ketë transferim “paqësor” të pushtetit te një qeveri kalimtare.

Një zyrtar afgan i ka thënë AP-së se negociatorët talibanë janë nisur drejt Pallatit presidencial për t’u përgatitur për “transferimin” e pushtetit.