Forcat afgane të sigurisë në vendin e sulmit vdekjeprurës vetëvrasës dje në kryeqytetin Kabul,

Foto: REL

Bisedime për “transferimin e pushtetit” në Afganistan

Talibanët kanë hyrë në periferi të kryeqytetit afgan, Kabul, i cili është qyteti vetëm i madh në Afganistan që ende është nën kontrollin e qeverisë. Talibanët janë zotuar se nuk do ta marrin Kabulin përmes forcës, teksa bisedimet me zyrtarët e lartë afganë kanë filluar, për siç është thënë, transferimin e pushtetit në mënyrë paqësore.

Ministri në detyrë i Brendshëm i Afganistanit, Abdul Satar Mirzakwal tha përmes një video-mesazhi më 15 gusht se do të ketë transferim “paqësor” të pushtetit te një qeveri kalimtare.

Një zyrtar afgan i ka thënë AP-së se negociatorët talibanë janë nisur drejt Pallatit presidencial për t’u përgatitur për “transferimin” e pushtetit. Ky zyrtar tha se qëllimi është që të ketë një transferim paqësor të pushtetit te militantët talibanë.

Ndërkaq, një zëdhënës i talibanëve ka konfirmuar për Radion Azadi se bisedimet po zhvillohen për marrjen e pushtetit në mënyrë paqësore, por ai nuk ka dhënë më shumë detaje.

Më herët, Pallati presidencial në Afganistan tha se kanë dëgjuar të shtëna armësh në disa pika përreth Kabulit, por forcat e sigurisë, në koordinim me parnerët ndërkombëtarë, e kanë kontrollin e qytetit.

“Mos bëni panik. Kabuli është i sigurt”, tha në Twitter, Matin Bek, shef i stafit të presidentit afgan, Ashraf Ghani.

Nisja e talibanëve drejt Kabulit vjen në kohën kur forcat ndërkombëtare po evakuojnë diplomatët pas përkeqësimit të situatës së sigurisë.

Helikopterët janë parë pranë Ambasadës amerikane të dielën dhe makinat e blinduara janë parë duke u larguar, ka raportuar Associated Press. Ndërkaq, diplomatët kanë shkatërruar dokumentet e ambasadës, tha AP, duke cituar zyrtarë anonimë të ushtrisë amerikane.

Talibanët “nuk duan ta marrin me forcë Kabulin”

Talibanët thanë se nuk dëshirojnë të hyjnë “me forcë në qytet dhe të luftojnë, por po negociojmë me palë të tjera për të hyrë në qytet në mënyrë paqësore”.

Talibanët më 15 gusht morën pa luftë edhe qytetin Jalalabad, më pak se 24 orë pasi morën nën kontroll edhe qytetin Mazar-e Sharif.

Militantët postuan fotografi online teksa qëndruan brenda zyrës së guvernatorit të Jalalabadit, që është kryeqytet i provincës Nangarhar.

Abrarullah Murad, një ligjvënës nga provinca Nangarhar i tha agjencisë Associated Press se kryengritësit morën Jalalabadin pasi përfaqësuesit fisnor negociuan rënien e qeverisë në këtë qytet.

Humbja e Jalalabadit dhe Mazar-e Sharif është një goditje për presidentin, Ashraf Ghani, i cili iu adresua kombit më 14 gusht, duke u zotuar se nuk do të heqë dorë nga “arritjet” e 20 vjetëve të fundit, që prej pushtimit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, që hoqi nga pushteti talibanët pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit.

Talibanët kanë bërë përparim të shpejtë gjatë javëve të fundit, duke marr nën kontroll pjesë të mëdha të territorit teksa forcat e huaja, të udhëhequra nga SHBA-ja, po tërhiqen nga Afganistani.

Ofensiva e militantëve talibanë u përshpejtua javën e kaluar, duke tronditur qeveritë perëndimore teksa mbrojtja e ushtrisë afgane duket se kolapsoi. Shtetet e Bashkuara dhe Britania po dërgojnë trupa shtesë për të ndihmuar në evakuimin e qytetarëve të tyre dhe afganëve që kanë punuar me ta.

Talibanët, përmes një deklarate, thanë se marrja e shpejt e territorit tregon se populli afgan i pranojnë ata dhe risiguruan afganët dhe të huajt se ata do të jenë të sigurt.

Talibanët “gjithmonë do të mbrojnë jetën e tyre, pronën dhe nderin dhe do të krijojnë një ambient të sigurt dhe paqësor për këtë komb”, thanë talibanët, duke shtuar se diplomatët dhe punëtorët e ndihmës po ashtu nuk do të përballen me asnjë problem.

Pas avancimit të talibanëve, presidenti amerikan, Joe Biden më 14 gusht autorizoi dërgimin e 1.000 trupave të marinës. Ata do t’iu bashkohen edhe 3.000 trupave që u autorizuan edhe më herët, për të siguruar tërheqjen e personelit ushtarak amerikan. Këto trupa do t’iu bashkohen mbi 650 pjesëtarëve të personelit që veçse janë në Kabul, të cilët po kujdesen për sigurinë diplomatike.

Trupat amerikane arritën më 14 gusht për të mbrojtur dhe ndihmuar operacionin e evakuimit dhe po ashtu për të ndihmuar në mbajtjen nën kontroll të aeroportit.

Në njoftimin e Bidenit për dërgimin e trupave shtesë, po ashtu u tha se presidenti amerikan qëndron prapa vendimit të tij për të tërhequr trupat amerikane nga misioni në Afganistan.

“Gjatë 20 vjetëve të luftës sonë në Afganistan, Amerika ka dërguar burrat dhe gratë më të mirë, ka investuar pothuajse 1 trilion dollarë, ka trajnuar mbi 300.000 ushtarë dhe policë afganë, i ka pajisur ata me pajisjet më të mira ushtarake dhe ka mirëmbajtur forcat e saj ajrore si pjesë e luftës më të gjatë në historinë amerikane”, tha presidenti Biden.

“Edhe një vit apo pesë të prezencës së ushtrisë amerikane nuk do të bënte dallimin nëse ushtria afgane nuk mund ta mbajë vetë shtetin. Dhe një prezencë e pafundme amerikane në mesin e një konflikti civil në një shtet tjetër nuk ishte e pranueshme për mua”, shtoi presidenti Biden.

Ndërkaq, në fjalimin e tij, presidenti afgan Ghani tha se konsultimet kanë filluar brenda qeverisë së tij dhe përfaqësuesve fisnorë dhe liderëve politikë, por edhe me aleatët ndërkombëtarë.

“Shumë shpejt rezultatet e këtyre konsultimeve do të ndahen me ju”, tha ai, duke mos dhënë më shumë detaje.

Talibanët më 14 gusht morën kontrollin edhe të Sharanës, kryeqytetit të provincës Paktika dhe të Asadabad, kryeqytetit të provincës Kunar.

Talibanët deri më tani kanë nën kontroll 25 provinca nga 34 sa janë gjithsej në Afganistan.

Dhjetëra-mijëra afganë janë larguar nga shtëpitë e tyre, shumica prej tyre nga frika se talibanët do të kthehen në pushtet.

Talibanët kanë qenë në pushtet në Afganistan nga viti 1996 deri më 2001 dhe atëbotë kishin vendosur ligje të ashpra islamike, ku gratë s’kishin drejtë të punonin apo të shkonin në shkollë dhe nuk mund të dilnin nga shtëpia pa shoqërimin e një familjari mashkull.

Salima Mazari, që është një prej guvernatoreve gra në këtë shtet, ka shprehur frikën nga marrja e kontrollit të shtetit nga talibanët. Ajo ka folur për Associated Press nga Mazar-e Sharif, para se ky qytet të merrej nga talibanët.

“Nuk do të ketë vend për gratë”, ka deklaruar ajo, që ka qeverisur një qark në këtë qytet verior. “Në provincat e kontrolluara nga talibanët, asnjë grua nuk ekziston. Që të gjitha janë të burgosura në shtëpitë e tyre”, shtoi ajo./REL