Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Premtimet për udhëheqjen e drejtorive nga gratë në Komunën e Istogut

Në Debat Pernime, kandidatët për kryetar të Istogut kanë dhënë premtimet e tyre për emërimin e grave në udhëheqjen e drejtorive komunale.

Kandidati i LDK-së për kryetar të Istogut tha se për emërimin e grave drejtoresha do të respektojnë kuotën gjinore, duke shtuar se do t’i bëjnë përafërsisht 50 për qind.

Kurse, kandidati nga radhët e IBI-së, Idriza Blakaj tha se nuk mund të garantojë që do t’i emërojë 50 për qind gra nëpër drejtori.

Ndërkaq, Bekë Berisha nga AAK-ja tha se i ka premtuar 4 drejtori për gratë, por që ka mundësi se mund t’i emërojë 5.

Kandidati i PDK-së, Ali Nimanaj theksoi në Debat Pernime se zotohet që 50 për qind e drejtorive do të udhëhiqen nga gratë.

Njësoj ka deklaruar edhe kandidati për kryetar të Istogut nga LVV-ja, Agron Avdijaj i cili tha se zotimi i tij është që të bëhen 50 me 50.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Istogut diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Istogut, Agron Avdijaj nga LVV; Ali Nimanaj nga PDK; Bekë Berisha nga AAK; Idriz Blakaj nga IBI; Ilir Ferati nga LDK.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Istogut: Delvina Sylaj nga LDK; Fjoralba Raci nga LVV; Jehonë Mehmetukaj nga AAK dhe Lirije Demiri-Sadikaj nga PDK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.