Premtimet e kandidatit të LVV për Podujevën

Në debatin e sontëm në “Debat Pernime” kandidatët për kryetar të Komunës së Podujevës treguan se si do të qeverisin në dy vitet e ardhshme deri në zgjedhjet e reja komunale.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi tha se do të i kushtojnë rëndësi shumë të gjitha sektorëve dhe do të jenë transparent.

“Sigurisht që ne do të angazhohemi me ekspertë të ndryshëm të fushave të ndryshëm duke filluar nga administrata publike, arsimi, shëndetësia. Sigurisht që njëra nga këto pikat janë paraparë masat konkrete do të funksionojmë me një administratë publike funksionale. Transparenca publike e kam fjalën edhe për rekrutimin e stafit dhe buxhetin. Shëndetësia do të i kushtohet po ashtu një kujdes i veçantë. Qendrat e Mjekësisë Familjare do të furnizohen me barna të nevojshme. Te zhvillimi ekonomik do të krijojmë kushte të përshtatshme të marrim investime të reja. Infrastruktura deri sot që është bërë thuajse është gjysmake sepse punët janë gjysmë të kryera”, ishte plani i Bulliqit si kandidat nga LVV.

Debati i sotëm në Podujevë me kandidatët për kryetar në këto zgjedhje të jashtëzakonshme po mbahet pa publik.

Kjo pasi që Qeveria e Kosovës pak para fillimit të debatit mori vendim që aktivitetet publike dhe jo publike të mbahen të mbyllura pa praninë e publikut.

Sonte në “Debat Pernime” janë prezent tre kandidatët për kryetar të Komunës së Podujevës, Naim Fetahu nga Partia Demokratike e Kosovës, Nexhmi Rudari nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Komunën e Podujevës po mbahen për shkak të ndërrimit të pozitës së kryetarit të kaluar Agim Veliu.

I njëjti në qeverinë e re është pozicionuar si Ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Podujevës mbahen ditën e diel më saktë më 15 mars.