Prebreza: Prokuroria në gjumë, po heton vetëm 'Pronto'-n, por jo edhe punësimet tjera (VIDEO)

 

Redaktori i BIRN, Visar Prebreza, në emisionin Drejtësia në Kosovë ka deklaruar se Prokuroria e Kosovës është në gjumë dhe nuk po reagon për raportimet e mediave për punësimet e jashtëligjshme në institucionet e Kosovës.

Prebreza bënë analogji mes rastit “Pronto” dhe raportimeve të tjera që KALLXO.com i ka bërë në vazhdimësi për punësimet e jashtëligjshme.

““Të gjitha gjetjet tona ne i dërgojmë në prokurori, por fatkeqësisht s’kemi parë ndonjë hetim për këto shkelje ligjore. Është e palogjikshme që nëse kemi një aktakuzë për rastin “Pronto”, ku flitet për punësime jomeritore, atëherë duhet të iniciohet raste penale edhe për të gjitha këto borde që i kemi raportuar ne përmes fakteve”, ka thënë Prebreza në emisionin Drejtësia në Kosovë.

Ai ka përmendur rastin e ish kryeshefit të Postës, Sejdi Hoxha, i cili përveç këtij posti, i kishte hyrë edhe garës për deputetë.

“Në monitorime kemi gjetur që ka shkelje direkte ligjore në këtë rekrutime. Kemi raportuar që një kandidat i PDK-së e ka mbajtur edhe pozitën e kryeshefit në postë, e kjo për neve është konflikt interesi, përkundër që Agjencia Kundër Korrupsionit e ka lëshuar një interpretim që ia ka mundësuar Sejdi Hoxhës t’i mbajë dy poste, mirëpo në fund ky kishte dhënë dorëheqje”, thotë Prebreza.

BIRN tash e dy vite është duke i monitoruar proceset e rekrutimet në institucionet e Kosovës, si për pozita të larta shtetërore e deri tek ato më të ulta.

Prebreza tregon për gjetjet e monitorimit të BIRN-it.

“BIRN gjatë dy viteve ka monitoruar me dhjetëra konkurse, prej niveli ma të lartë shtetëror, që kryejnë detyra të rëndësishme, sic është drejtori i ATK-së, e deri te nivelet më të ulta, sepse kemi dashtë me kqyrë se qysh po funksionin hallka e rekrutimeve në Kosovë. Fatkeqësisht kemi gjetur shumë shkelje, kemi gjetur shkelje procedurale, kemi gjetur vlerësimi kolektive”, thotë ai.