Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Prebreza: Mbretërinë e gurthyesve e sundojnë kompanitë që merren me shtrimin e asfaltit

Në ligjin për rimëkëmbjen ekonomike është vendosur një nen i cili sjellë shumë përfitime për gurthyesit dhe kompanive që merren me aktivitete minerare, pasi që për pesë muaj të vitit 2021 është vendosur që të hiqet taksa e pagesës së rentës minerare.

Për këtë temë po diskutohet në emisonin e KALLXO.com.

Visar Prebreza, redaktor në KALLXO.com, i ftuar në emision, ka folur rreth kompanive të cilat merren me shtrimin e asfaltit në Kosovë, duke thënë se ata sundojnë mbretërinë e gurthyesve.

“Ajo që duhet të ceket është se vetëm nga buxheti i Kosovës në këto 10- 12 vite janë invesuar mbi 2 miliardë euro në asfalt, për shkak se kryesisht investimet janë koncentruar në asfalt, ka qenë një prioritet i secilës qeveri përkundër diskursit që e kanë pasur para se të vijnë në qeveri”, thotë Prebreza.

Sipas tij, gurthyesit nuk kanë pasur nevojë për heqjen e rentës minerare.

“Zhavorri është një prej elementeve bazë për shtrimin e asfaltit, madje hulumtimi i “Drejtësia në Kosovë”, ka gjetur tender që pikësisht me zhavorr është manipuluar. Nëse flasim për heqjen e rentës normalisht se shkon në favor, nuk është se e kemi ndonjë arsyetim pse saktësisht është propozuar, dhe nëse është popozuar për gurthyes apo propozimi ka qenë edhe për bizneset e tjera, ndërsa gurthyesit nuk kanë pasur nevojë pasi që investimet në infrastrukturë kanë vazhduar, asflati nuk është ndalur”, thotë Prebreza.

Tutje Visar Prebreza ka folur edhe për lidhjen e pronarëve të gurthyesve në njerëzit në politikë.

“Mbrapa kompanive të tyre, ne kemi shumë hulumtime, mund t’i hyjmë në hak nëse përmendim një ose ndonjë tjetër jo, duke filluar nga vëllezërit e ish-presidentit Thaçi, vazhdon tek zëvendësministrat e AAK-së që merren me infrastukturë, mirëpo ka kompani me të afërm në secilën parti politike”, thotë ai.