Hulumtim: Si i fitoi 5 tenderë nga UNOPS kompania në listë të zezë të OShP-së?

Pandemia e COVID-19 solli në vëmendje nevojën që Qeveria e vendit të nisë investimet në sistemin e shëndetësisë. Në javët e para të pandemisë institucione të ndryshme hapën dhjetëra tenderë për furnizime me produkte mbrojtëse për COVID-19.

Në fund të vitit Ministria e Shëndetësisë premtoi që furnizimi me barna do përmirësohet.

Madje ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, u zotua se gjendja do jetë skajshëm e rregulluar për shkak të disa kontratave të nënshkruara me UNOPS dhe organizata ndërkombëtare.

Me anë të këtyre kontratave, institucionet u furnizuan pjesërisht me barna dhe furnizimi nisi të rritej. Megjithatë lista esenciale ende nuk ka arritur të përmbushet në të gjitha spitalet dhe institucionet e vendit.

Besim Kodra nga Shoqata e Pacientëve ka deklaruar për KALLXO.com se lista esenciale e barnave është shumë larg përmbushjes. Kodra ka thënë se po pranojnë shumë ankesa nga pacientët për ilaçe esenciale.

“Mospërnbushja e listës esencilae krijon edhe një buxhet shtesë që shpenzohet prej pacientëve, por edhe secila mungesë në LE krijon hapësirë për abuzim”, ka deklaruar Kodra.

Ndër të tjera, Kodra ka thënë se bllokimi i tenderëve në OShP nuk është i drejtë për shkak se po i jepet përparësi buxhetit të shtetit karshi pacientëve.

“Është e pandershme, e padrejtë që ne të shikojmë se a po dëmtohet buxheti për shkak të bllokimit të tenderëve për më shumë se një vit e në anën tjetër pacientët të blejnë barna me buxhetin e tyre e ata që nuk kanë të vdesin në mungesë të barnave”, ka thënë Kodra.

Por, Kosova ende ka probleme me procesin e tenderimit. Dhjetëra tender të institucioneve shëndetësore janë bllokuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik. Një tender i tillë i bllokuar është ai për furnizim me materialet të cilat përdoren për të testuar COVID-19. Ministria e Shëndetësisë kishte hapur tender për t’u furnizuar me materiale të tilla por procesi i tenderimit u bllokua pasi njëra nga kompanitë paraqiti ankesë në OShP. Në këtë tender kishte aplikuar kompania InterLab SHPK. Kjo kompani u refuzua me arsyetimin se ishte në listën e zezë.

Lista e zezë është proces i cili u ndalon kompanive të marrin pjesë në tenderë në kohën kur është konstatuar se ato kanë bërë keqpërdorime apo abuzime gjatë proceseve të tenderimit.

Pasi kompania u refuzua tenderi u bllokua me ankesë.

Në ndërkohë në vend erdhi opsioni tjetër Ministria e Shëndetësisë mund t’i blinte furnizimet për testime përmes një kredie nëpërmjet Bankës Botërore.

Tenderi u menaxhua nga UNOPS ndërsa të dhënat na tregojnë që kompania që u refuzua të fitonte tender për shkak se ishte në listë të zezë e fitoi tenderin.

Vlera e këtij tenderi është 314 mijë euro dhe të dhënat tregojnë që kompania arriti ta fitonte edhe pse ishte në listën e zezë. Kjo kompani, përveç tenderit 314 mijë eurosh, kishte fituar edhe 4 tenderë të tjerë përmes UNOPS në kohën sa ka qenë në listë të zezë. Vlera totale e kontratave të nënshkruara nga InterLab SHPK dhe Ministrisë së Shëndetësisë përmes UNOPS kapin vlerën prej 446 mijë e 401 euro.

InterLab SHPK ka deklaruar se në tenderët që i kanë fituar nga UNOPS nuk aplikohet Ligji i Prokurimit të Kosovës.

“Për 4 tender që cekni ju ne kemi fituar nga UNOPS për të cilën procedurë NUK aplikohet Ligji për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës nr. 04/L-042 i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 04/L-237, Ligjin Nr. 05/L-068 dhe Ligjin Nr. 05/L-092”, thuhet në përgjigjen e kompanisë InterLab SHPK.

Në dosje shkruhet se kompania InterLab SHPK është futur në listë të zezë pasi është konstatuar se kjo kompani ka paraqitur dokumente të rreme në tenderin për Furnizimi me shkopinj steril për kontroll të fytit.

Aty thuhet se kompania shkroi në tender se shkopinjtë do të prodhoheshin nga një prodhues, ndërsa furnizimi ndodhi nga një prodhues tjetër.

Por, si arriti kompania që ishte konstatuar në këtë shkelje të marrë sërish tender.

Të dhënat na tregojnë se shpallja e tenderit nga UNOPS-i shmangi në plotësisht ligjet e Kosovës.

Ne kemi kërkuar sqarime nga Ministria e Shëndetësisë për këtë çështje por Ministria e Shëndetësisë vetëm i ka dërguar pyetjet tek UNOPS dhe nuk ka dhënë qëndrimin e saj si institucion.

Këtë të fundit na kanë dhënë një sqarim ku sipas tyre ata funksionojnë me ligje të tjera dhe listat e zeza të Kosovës nuk vlen për ta.

“Meqenëse UNOPS është agjenci e OKB-së dhe vepron sipas politikave, rregullave dhe rregulloreve të organizatës sonë, në marrëveshjen tonë me Qeverinë e Kosovës, këto rregullore mbizotërojnë mbi çdo kuadër ligjor të vendeve ku operon UNOPS dhe se kjo është në përputhje me marrëveshjet ligjore që OKB-ja i nënshkruan me partnerë, të tillë si Qeveria e Kosovës, Ministria e Shëndetësisë, (edhe me institucione të tjera qeveritare) dhe financohen përmes kredive, si nga Banka Botërore ashtu edhe nga banka e Këshillit të Evropës”, thuhet mes të tjerash në përgjigjen e UNOPS-it për KALLXO.com

Me rregulla të OKB-së një kompani që është në listë të zezë të institucioneve të Kosovës arriti të marrë tender për ta furnizuar Institutin Kombëtar me materiale për testimin e COVID.

Kompaninë e kemi kontaktuar dhe i kemi kërkuar intervistë me kamerë mirëpo ata nuk kanë pranuar.

Kompania ka pranuar të deklarohet për KALLXO.com vetëm ëprmes e-mailit. Të njëjtit kanë deklaruar se kundërligjshëm janë futur në listë të zezë pasi kur ka nodhur rasti, veçse ka qenë faza e implementimit të projektit.

“OSHP në kundërshtim me Nenin 99 të LPP-se ka aprovuar kërkesën për diskualifikim te AK-SHSKUK sepse në praktikat e prokurimit në Kosovë deri ne momentin kur kemi pranuar ketë Vendim, asnjë rast nuk ka ndodhur qe një kontraktor te futet ne liste te zeze nga OSHP gjate fazës se ekzekutimit apo implementimit te kontratës, rast “Sui Generis” siç është vepruar me ne, por sipas praktikave OSHP i ka udhëzuar Autoritetet Kontraktuese te zgjidhen mosmarrëveshjet sipas kushteve te kontratës”, thuhet më tej në përgjigjen e kompanisë.

Për të njëjtin rast, meqenëse kanë konsideruar që janë diskualifikuar jashtëligjshëm, InterLab SHPK ka paraqitur padi në Gjykatën Themelore.

“Si kontraktor pasi qe nuk jemi pajtuar me vendimin për diskualifikim te OSHP-se, sipas këshillës juridike kemi paraqit kërkesëpadi pranë Gjykatës Themelore-Departamenti për çështje Administrativë me datën: 09.02.2021, ku kemi kërkuar anulimin e vendimit te OSHP-se si i kundërligjshëm sepse bazuar ne dëshmitë dhe provat e prezantuara se nuk kemi paraqit asnjë dokument te falsifikuar siç pretendohet ne vendim”, vazhdon më tej kompania në përgjigjen e tyre përmes e-mailit.

Proceset e prokurimit në shëndetësi në vazhdimësi kanë qenë problematike deri më tani janë mbi 5 tenderë në Ministrinë e Shëndetësisë të cilat janë të bllokuara për shkak të ankesave. Si rrjedhojë pacientët vazhdojnë të kenë probleme në furnizim me ilaçe.