Prapë shpërthim me ‘shock bombë’ në veri

Një tjetër shpërthim është dëgjuar në Mitrovicë të Veriut rreth orës 17:00.

Siç mëson KALLXO.com, përsëri është gjuajtur ‘shock bombë’ te Tre Rrokaqiejt.

Sirena dhe shpërthime janë dëgjuar edhe më herët gjatë pasdites së sotme.

Sipas Policisë, në orët e para të pasdites, në disa zona të Zubin Potokut dhe Mitrovicës së Veriut janë regjistruar disa incidente dhe dyshohet për shkrepje armësh e shpërthime.

Policia ka njoftuar se deri më tani nuk janë raportuar lëndime nga këto incidente, ndërsa raportohet se protestuesit kanë demoluar zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor.

“Me kërkesë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), sot më datë 6 dhjetor 2022, në komunat Zubin Potok dhe Mitrovicë Veri, Njësitë policore të rendit publik kanë shoqëruar zyrtarët e Komisionit Komunal zgjedhor në zyrat e komisionit komunal zgjedhor, me qellim të kryerjes së detyrave dhe kompetencave të tyre ligjore”- thuhet tutje në njoftim.

KALLXO.com mëson se KQZ ka kërkuar tash e disa ditë që gjatë kësaj kohe kur pritej të vendoseshin zyrtarët e lartë komunalë që janë përzgjedhur për të zëvendësuar ata të dorëhequrit, të kenë edhe mbështetjen e Policisë së Kosovës.

Tutje siç mëson KALLXO.com në momentet kur është tentuar zëvendësimi i zyrtarëve të lartë, është lëshuar alarmi në pjesën veriore të Kosovës.

Ndërsa në orët e pasdites në veri të vendit janë dëgjuar disa shpërthime dhe sirena.

‘Shock bombat’ siç mëson KALLXO.com janë gjuajtur në drejtim të zyreve të KQZ-së në vendin ku ishin edhe zyrtarët policorë të Policisë së Kosovës.