Rojet në kufirin Poloni-Bjellorusi. Foto: REL

Polonia do ta kthejë zonën neutrale në kufi me Bjellorusinë, thotë Tusk

Polonia do ta kthejë zonën neutrale 200 metra të gjatë në kufi me Bjellorusinë në fillim të javës së ardhshme, pasi një ushtar polak u plagos rëndë në kufi, tha të mërkurën kryeministri polak Donald Tusk.

Kufiri mes këtyre dy vendeve ka qenë pikë e nxehtë prej se emigrantët filluan të mblidhen atje më 2021, pasi Bjellorusia, aleatja e Rusisë, hapi agjenci udhëtimi në Lindjen e Mesme për ta mundësuar një rrugë të re jozyrtare për në Europë.

Bashkimi Europian kishte thënë se ai vendim kishte për qëllim krijimin e një krize.

Bjellorusia i ka hedhur poshtë akuzat se po i ndihmon emigrantët të shkojnë drejt kufirit polak.

“Ne u udhëzuam ta kthejmë shpejt zonën neutrale, 200 metra të gjatë, në këtë zonë… ne jemi të gatshëm ta marrin një vendim të tillë në fillim të javës së ardhshme”, tha Tusk në një konferencë për media në afërsi të kufirit.

Në javët e fundit është rritur numri i emigrantëve që kanë tentuar ta kalojnë jashtëligjshëm kufirin, ndërsa rojet kufitare kanë raportuar për një numër incidentesh të dhunshme.

Të martën, një ushtar polak u ther në kufi dhe si pasojë e plagëve të rënda, jeta e tij është në rrezik.

“Nuk kemi të bëjmë me azilkërkues këtu, por me një operacion të koordinuar dhe shumë të kujdesshëm për ta thyer kufirin polak, në përpjekje për ta destabilizuar vendin”, tha Tusk.

Polonia synon t’i shpenzojë 2.55 miliardë dollarë për forcimin e kufirit me Bjellorusinë.

Ministri i Mbrojtjes polak, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, tha se Polonia është e gatshme ta rrisë numrin e trupave në kufi nga 5.500 sa ka tani, por nuk tregoi se sa saktësisht.

Zona neutrale ishte krijuar në vitin 2021 nga qeveria e kaluar e partisë nacionaliste Ligj dhe Drejtësi (PiS).

Në atë kohë, avokues për të drejtat e njeriut dhe pjesëtarët e partisë së Tuskut Koalicioni Civil, e kishin kritikuar vendimin, duke thënë se zona neutrale do t’i pengonte përpjekjet e punëtorëve humanitarë për t’i ndihmuar emigrantët, përfshirë gra dhe fëmijë, të ngecur në kufi./REL