Policia për përplasjet e djeshme në Shkabaj: U sulmua një polic

Një objekt që pretendohet se u nis për t’u bërë xhami u bë shkak i përplasjeve edhe fizike mes pjesëtarëve të Policisë dhe disa qytetarëve gjatë aksionit të Inspektoratit të Komunës për ta rrënuar objektin pa leje në Shkabaj të Prishtinës të enjten, më 30.05.2024.

Pjesëtarët e Policisë kishin shkuar për të shoqëruar Inspektoratin e Komunës së Prishtinës për të rrënuar objektin që ka filluar të ndërtohet në fshat, teksa disa banorë të fshatit po e kundërshtonin aksionin e Inspektoratit.

Lidhur me këtë ngjarje, në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës të ditës së sotme, më 31.05.2024 është thënë se është sulmuar edhe një zyrtarë policor.

“Njësitet policore gjatë asistimit të inspektorëve kompetent lidhur me një ekzekutim për rrënimin e një objekti, në atë lokacion janë grumbulluar një numër i qytetarëve për të protestuar, ku disa persona  janë futur brenda shiritit sigurues dhe njëri prej tyre i dyshuari ka sulmuar njërin prej zyrtarëve policorë” -tha Policia.

Tutje u njoftua se lidhur me rastin është njoftuar prokurori dhe se rasti po vazhdon të hetohet.

Mungesa e lejes për ndërtimin e xhamisë shkakton tensione në Shkabaj e përplasje mes banorëve dhe Policisë