
Qendra e votimit "Xheladin Rekaliu", Podujevë, 09.02.2025, Foto: Afrim Ejupi/KALLXO.com
Policia jep detaje për arrestimin në Podujevë në Ditën e Zgjedhjeve
Policia e Kosovës ka dhënë versionin e saj në lidhje me rastin në të cilin një qytetar u arrestua në Podujevë, për shkak të dyshimit se ka sulmuar një polic në Qendrën e Votimit “Xheladin Rekaliu”, më 09.02.2025.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur rreth orës 07:37.
“Gjatë procesit të votimit, nuk ka respektuar urdhrat e zyrtarit policor dhe më pas ka sulmuar fizikisht. Lidhur me rastin personi i dyshuar është arrestuar dhe me vendim të Prokurorit është dërguar në mbajtje.” – njofton Policia, më 10.02.2025.
KALLXO.com raportoi në lidhje me këtë inicident i cili u konfirmua fillimisht nga zyrtari komunal zgjedhor në Podujevë, Islam Demolli. Ky ishte incidenti i vetëm në Podujevë në ditën e Zgjedhjeve.
“Është arrestuar për shkak të sulmit ndaj personit zyrtar, policit.” – tha Demolli, më 09.02.2025.
Kurse, menaxherja e Qendrës së Votimit “Xheladin Rekaliu”, Arjeta Bashota tha për KALLXO.com se qytetari kishte tentuar ta fotografojë votën e tij.
“Rreth orës 07:45 është dyshuar për një fotografim të votës. Policia kanë intervenuar dhe pastaj kanë hasur në rezistencë nga një person.”
Bashota tha se policët të cilët kanë qenë të përfshirë në këtë rast janë zëvendësuar nga policë të tjerë në këtë Qendër të Votimit.