Armatimi i gjetur në Zveçan
Policia: Në mesin e armëve që u gjetën në Zveçan, edhe armë të kalibrit të NATO-s
Në mesin e armëve që u gjetën sot në Zveçan, nga Policia e Kosovës kanë thënë se kishte edhe armë të kalibrit të NATO-s.
Kështu njoftoi në një konferencë për media zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.
“Aty në mesin e armëve kishte kallashnikov edhe municion 5×56, që i bie kalibër i NATO-s” – tha Elshani.
Ai foli edhe për shtëpinë ku u gjetën armët.
“Duke marr parasysh numrin, sasinë dhe llojin e armëve atëherë del që ky vend të jetë edhe depo” – tha Elshani.
Elshani ka thënë se në mesin e armëve që u gjetën sot ka pushkë automatike, karikatorë, eksploziv, granata dore, municion e mjete të tjera.
Elshani tutje tha se deri më tani nuk kanë ndonjë të arrestuar, por ka të dyshuar.
“Ne nuk kemi të arrestuar, por kemi persona të dyshimtë” – ka thënë Elshani.
Ai gjatë konferencës për media ka thënë se nuk mund të jap më shumë detaje pasi rasti është ende nën hetime.
Elshani ka treguar se rasti është duke u hetuar nga Drejtoria e Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të policisë.
Në anën tjetër, Sveçla ka thënë se në vendin e ngjarjes, përveç institucioneve të sigurisë, kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të KFOR-it.
Ai tutje ka thënë se kontrabandimi e hyrja ilegalisht e mallrave e armëve në Kosovë, ka prodhuar situatë shqetësuese edhe për qytetarët në veri, të cilët sipas Sveçles, të përballur me fuqinë e kriminelëve kanë jetuar nën shantazh e presion të vazhdueshëm.