Ilustrim

Policia jep detaje për vrasjen dhe plagosjen në Mitrovicë

Një person ka mbetur i vrarë ndërsa dy të tjerë janë plagosur pas disa të shtënave me armë që kanë ndodhur para pak minutave në Mitrovicë.

Policia ka thënë se i vrari është një 23 vjeçar.

Ngjarja siç mëson KALLXO.com ka ndodhur në një lokal ushqimor në Mitrovicë ndërsa vrasja dhe plagosjet rrodhën pas kacafytjes mes disa personash.

Lajmin për KALLXO.com, e kanë konfirmuar edhe Policia e Rajonit të Mitrovicës.

“Sonte rreth orës 22:20, policia ka marrë informacion për të shtëna me arme zjarri në rrugën ‘Bislim Bajgora’ në Mitrovicë. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarje”, tha zëdhënësi i Policisë së Rajonit të Mitrovicës, Avni Zahiti.

Dy personat e tjerë të plagosur janë dërguar për tretman mjekësor.

“Bazuar në të dhënat fillestare, nga arma e zjarrit janë plagosur tre persona, si pasojë njëri nga ta plagosurit i moshës 23 vjeçare ka vdekur. Vdekjen e tij e ka konstatuar mjeku, ndërsa dy të plagosurit tjerë janë dërguar në QKUK për trajtim të mëtejmë mjekësor”, tha Zahiti.

KALLXO.com raportoi në lidhje me rastin ndërsa ekipet policore, mjekësore si dhe prokuroria janë njoftuar për ngjarjen dhe kanë dalë në vendin ku dyshohet se ka ndodhur krimi.