Policia jep detaje për incidentin në Graçanicë ku një polic plagosi një person

Policia e Kosovës ka dhënë detaje rreth incidenti që ndodhi sot pasdite në Graçanicë, ku një zyrtar policor e plagosi me armë zjarri një person.

Sipas Policisë, rreth orës 16:00 , në afërsi të rrethit të Çagllavicës, për lëvizje të dyshimta Policia ka ndaluar një automjet të tipit Golf -VI- në të cilën kanë qenë dy persona.

Pas ndaljes së veturës janë konstatuar parregullsi kundërvajtëse të tilla si veturë pa regjistrim, ndërsa pas kontrollit është gjetur edhe një shufër metalike.

Ndërkohë që policia ka kryer verifikimet e nevojshme pasagjeri ka rezultuar të jetë i kërkuar me urdhër arrest për sulm ndaj personit zyrtar.

“Menjëherë të dyshuarit janë dërguar në stacionin policor dhe përderisa vozitësit i janë shqiptuar masat administrative për kundërvajtjet dhe është liruar, i dyshuari i kërkuar me urdhër arrest është ndaluar në stacion”, thuhet në njoftimin e Policisë.

“I dyshuari A.U., 21-vjeç, duke përfituar nga momenti, është arratisur nga stacioni policor, me ç’ rast është pritur jashtë stacionit nga vetura e njëjtë dhe së bashku me dy persona të tjerë. F.G., 22-vjeç, dhe Q.G, 28-vjeç, që po e prisnin në veturë kanë ikur me vrull duke shkaktuar rrezik për sigurinë përreth. Për të ndaluar ikjen dhe shmangur arratisjen zyrtari policor ka përdorur armën, dhe me këtë rast, një nga të dyshuarit ka marrë plagë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Në ikje e sipër, sipas Policisë, të dyshuarit kanë shkaktuar një aksident trafiku dhe për më shumë dy nga ta pas aksidentit janë arratisur ndërsa të dyshuarit F.G., pasi i është dhënë ndihma e parë është transferuar në QKUK për trajtimin e mëtejmë mjekësor.

“Prokurori i shtetit bashkërisht me Inspektoratin Policor, janë duke trajtuar rrethanat specifike të ndërlidhura me rastin”, njofton Policia.