Kryetari i Istogut Haki Rugova | Foto: Atdhe Mulla

Policia jep detaje për arrestimin e Haki Rugovës

Orët e mbrëmjes së sotme është arrestuar Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Zëdhënësin e Policisë, Bajram Krasniqi për të marrë detaje për këtë arrestim.

“Mund të konfirmojmë se hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) më, 09.10.2020 kanë intervistuar tre persona në cilësinë e të dyshuarve, nën dyshimin e kryerjes së veprave penale: ‘keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ‘konflikti i interesit’ dhe ‘falsifikimi i dokumentit zyrtar’”, tha Krasniqi.

Sipas Krasniqit, të dyshuarit, pas intervistimit me vendim Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Themelore në Pejë,  iu është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Siç mëson KALLXO.com perveç Kryetarit të Istogut është ndaluar edhe një drejtor  dhe një zyrtar i Komunës së Istogut.

Emisioni Drejtësia në Kosovë, në maj të vitit 2017 ekskluzivisht kishte raportuar për favoret e Haki Rugovës për bizneset familjare dhe garantimin e tenderëve për vëllezërit e tij.

Kryetari i Komunës së Istogut Haki Rugova bashkë me vëllezërit e tij, në vitin 2003-2004 me kompaninë e tyre “Macon”, kishin ndërtuar një objekt shtatëkatësh në pronën komunale. Sipas të dhënave në kohën kur Komuna e Istogut dha leje të rrënoheshin dy objektet ekzistuese dhe të ndërtohej objekti shtatëkatësh, Haki Rugova mbante pozitën e kryeshefit ekzekutiv në Komunën e Istogut. Kryeshefi ekzekutiv i Komunës në atë kohë kishte kompetenca të gjera.

Siç transmetoi emisioni “Drejtësia në Kosovë”, edhe pse objekti i familjes Rugova është ndërtuar në pronën e komunës, komuna aty nuk e ka në pronësi asnjë banesë.

Përveç ndërtimit në tokën e komunës, kompania “Macon”, pronë e vëllezërve Rugova ka marrë edhe disa tenderë në komunën e cila që nga viti 2010 qeveriset nga Haki Rugova.

Favoret e Komunës së Istogut për Kompaninë e Kryetarit Rugova