Policia identifikon 66 lypës, dorëzohen kallëzime penale ndaj 15 të dyshuarve

Policia e Kosovës ka njoftuar për aksionin përmes të cilit ka identifikuar 66 lypës në të gjithë territorin e Kosovës.

Sipas njoftimit të policisë, prej tyre 42 fëmijë dhe 24 të rritur, ku numri më i madh i tyre, 45 janë nga Shqipëria ndërsa 21 janë nga Kosova.

Ky plan operativ ka përfshirë periudhën kohore 12 korrik 2021 deri me datë 16 korrik 2021, ku janë angazhuar të gjitha njësitë rajonale të  DHTQNJ-së  dhe akterë tjerë relevant si: Prokuroritë  në rajonet përkatëse,  Qendra për punë sociale,  Drejtoria për Migrim dhe të Huaj si dhe zyrtarë policore nga kufiri dhe stacionet policore.

Gjatë fazës se implementimit të planit operativ në konsultim me Prokuroritë përkatëse, janë iniciuar gjithsej 13 raste prej tyre, një “Trafikim me Njerëz” dhe 12 raste “Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës”, me ç‘rast janë dorëzuar kallëzime penale kundër 15 të dyshuarve, prindërve të fëmijëve lëmoshë kërkues, ndërsa 17 fëmijë janë referuar në Qendrat për Punë Sociale.

Shtetasit e huaj  janë dorëzuar  në  njësinë përkatëse pranë Drejtorisë për Migrimi dhe të Huaj, për procedura të mëtejme bazuar në  ligjin për të huaj.