Policia e Shqipërisë jep detaje pas kërkesës së Gjykatës Speciale për arrestimin e Dritan Goxhajt

Policia e Shqipërisë është deklaruar për rastin e ish-anëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dritan Goxhaj, i cili sot u arrestua me kërkesë të Gjykatës Speciale.

Në njoftimin e Policisë është bërë e ditur se Gjykata ka vendosur lejimin e kontrollit fizik dhe të banesës së Goxhajt.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë bënë ekzekutimin e vendimit të datës 20.07.2023, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila ka vendosur lejimin e kontrollit fizik dhe të banesës së shtetasit D. G., si dhe caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, me qëllim ekstradimi, ndaj shtetasit D. G., 45 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Tiranë.”-është thënë në njoftimin e Policisë.

Tutje Policia e Shqipërisë ka njoftuar se materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Arrestimi i Goxhajt është bërë sot në Tiranë dhe ky rast ndërlidhet me akuzat e veprave penale kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë frikësimin dhe pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare.

Gjykata Speciale përmes një njoftimi ka bërë të ditur se DHSK-ja kërkoi arrestimin dhe dorëzimin e tij në Hagë.