Policia e Prizrenit: Getoar Besimi e Nezir Rexhepi po trajtohen si të dyshuar

Një njoftim i kryetarit të Prizrenit, Mytaher Haskuka se kuvendari i PDK-së, Getoar Besimi, ka sulmuar fizikisht zyrtarin e Prokurimit, Nezir Rexhepi, po demantohet edhe nga Policia.

Kjo për shkak se Policia edhe Besimin por edhe Rexhepin po i trajton si të dyshuar në lidhje me rastin.

Zëdhënësi i Policisë së Rajonit të Prizrenit, togeri Shaban Osmanollaj për KALLXO.com ka thënë se incidenti ka ndodhur gjatë ditës së sotme dhe se rasti është hapur si sulm fizik por të dyshuar janë të dy të apostrofuarit, edhe Getoar Besimi edhe Nezir Rexhepi.

“Po, është e vërtetë që ka ndodhur një incident në Komunën e Prizrenit, ne e kemi hapur si rast gjatë ditës. Policia e ka hapur si rast sulm fizik, dhe kemi marrë në pyetje të dy të dyshuarit, për ne të dy personat e përfshirë në incident janë si të dyshuar”, tha  Osmanollaj për KALLXO.com.

Ai ka shtuar edhe se është njoftuar edhe prokurori i rastit dhe me vendim të tij rasti ka vazhduar në procedurë të rregullt.

“Për Policinë e Kosovës të dy personat e përfshirë në incident po cilësohen si të dyshuar”, shtoi ai.

KALLXO.com raportoi para disa minutave se kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka me anë të një njoftimi në Facebook ka thënë se zyrtari Prokurimit të Komunës së Prizrenit, Nezir Rexhepi është sulmuar nga kuvendari i PDK-së në po të njëjtën Komunë, Getoar Besimi.

Haskuka: Zyrtari i Prokurimit u sulmua nga kuvendari i PDK-së

Sulmin ndaj Rexhepit e ka mohuar vetë Besimi në një prononcim për KALLXO.com.

Ai madje shtoi se ishte sulmuar dhe kishte marrë lëndime trupore.

Flet kuvendari i PDK-së në Prizren: Unë u sulmova dhe kam marrë lëndime trupore