Ilustrim

Policia e përgënjeshtron Ministrinë e Dalibor Jevtiqit për sulmin ndaj serbit në Istog

 

Dy persona të dyshuar për sulm ndaj një qytetari të nacionalitetit serb janë arrestuar në Istog. Lajmin e ka bërë të ditur Zyra për media e Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës.

“Sot me datë 12.06.2020 rreth orës 11:00, Policia e Kosovës, Stacioni Policor ne Istog, është informuar nga viktima, se ne fshatin Oprashkë- Istog, është sulmuar nga dy persona te dyshuar, te cilët kishin shkuar në pyllin e viktimës për të vjedhur dru. Sipas viktimës, ai ishte munduar që t’i ndal të dyshuarit, mirëpo të njëjtit e kishin sulmuar dhe goditur duke shkaktuar lëndime trupore. Njësitet relevante pranë stacionit policor në Istog, menjëherë iu kanë përgjigjur vendit të ngjarjes, pas një punë intensive, kanë arritur të identifikojnë dhe arrestojnë të dyshuarit e këtij rasti: Rr. G., i lindur me 1998 m/k/egjiptian dhe Rr. G., i lindur me 2001m/k/egjiptian”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Në anën tjetër, Ministria për Komunitete dhe Kthim në një komunikatë për media ka reaguar duke thënë se qytetari i nacionalitetit serb ishte sulmuar nga dy shqiptarë.

“Miletiq pësoi lëndime trupore nga dy shqiptarë, ndërsa parandaloi prerjen e paligjshme të drurit në pronën e tij, dhe me atë rast, telefoni i tij celular u vodh”, thuhet në komunikatën e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.

Në lidhje me këtë rast MKK ka thënë komuniteti serb kërkon mbrojtje institucionale dhe ata duan të jetojnë dhe të punojnë në pronat e tyre pa pengesa.

Sipas MKK-së rritja e numrit të incidenteve është shqetësim për mbijetesën e të kthyerve serbë dhe se kjo dukuri po rritet me intensivisht. Ankesat ndaj këtyre dukurive nuk do të ndalen por do vazhdojnë në agjencitë e zbatimit të ligjit, përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare dhe institucioneve të Kosovës derisa ata të jenë të sigurt.

Sipas Ministrisë heshtja dhe indiferenca ndaj këtyre incidenteve, pjesërisht, nënkupton miratimin e tyre dhe se autorët e këtyre veprave duhet të gjenden dhe të ndiqen.

Që nga shkurti, sipas informacioneve nga terreni të marrë nga Ministria për Komunitete dhe Kthim, ky është incidenti i 26-të me radhë.