Policia e Kosovës: Personat e plagosur në Shtërpcë janë të moshës 11 dhe 21 vjeçare

Dy persona janë plagosur para disa orësh në Shtërpcë.

Policia e Kosovës ka sqaruar se pas verifikimit të moshës së tyre, kanë rezultuar se njëri nga ta është 11 vjeçar dhe tjetri 21 vjeç.

“Në lidhje me personat e plagosur në Shtërpcë, fillimisht nga informatat e para që kemi pranuar,  ju kemi njoftuar se janë plagosur dy persona, një person 11 vjeçar dhe një person 31 vjeçar. Mirëpo, Sektori Rajonal i Hetimeve, pasi ka bërë verifikimin e personave të plagosur dhe moshës së tyre, rezulton të jenë plagosur, një person 11 vjeçar dhe një person 21 vjeçar”- thuhet në njoftim.

Në njoftimet fillestare në lidhje me rastin, Policia njoftoi se bëhej fjalë për plagosjen e dy personave njëri rreth 11 vjeçar dhe tjetri rreth 31 vjeçar.

Në lidhje me rastin Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një të dyshuar me inicialet A. K.

“Policia Rajonale e Ferizajt, pas një pune intensive hetimore, grumbullimit të informacioneve në terren kanë identifikuar e më pas kanë arrestuar të dyshuarin A. K. (M/K) i moshës 33 vjeçar”- thuhet në njoftim.

Në një komunikatë për media, Policia thotë se nga i dyshuari, hetuesit kanë gjetur e më pas kanë konfiskuar armën e zjarrit (pistoletë) me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale.

Nga A. K gjithashtu është konfiskuar edhe automjeti i udhëtarëve me të cilën dyshohet se ka lëvizur ai.

Ndërkaq ministri i Mbrojtje, Armend Mehaj ka njoftuar se në këtë rast është i përfshirë një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Tani u njoftova se në rastin që ka ndodhur në Shtërpcë është përfshirë një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Me rastin janë duke u marrë organet e sigurisë dhe drejtësisë. I njëjti do ta trajtohet edhe sipas rregulloreve dhe ligjeve që kemi në fuqi në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë”- shkruan Mehaj.

Kryeprokurori i Ferizajt, Shukri Jashari në një prononcim për KALLXO.com ka njoftuar se rrugët për të hyrë dhe dalë nga Shtërpca, janë bllokuar nga banorët.

Plagosja e dyfishtë në Shtërpcë, arrestohet një i dyshuar