Ilustrim

Policia e Kosovës arreston 9 veta për krime kibernetike, dyshohet se i detyronin shtetasit e huaj t'u dërgonin para

Policia e Kosovës ka arrestuar sot 9 persona pas hetimeve disamujore nën dyshimin për krime kibernetike dhe mashtrim ndaj disa shtetasve të huaj.

“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, përkatësisht Sektori për Hetime të Krimeve Kibernetike, si dhe në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar (Gjermaninë), pas hetimeve disamujore dhe shkëmbimit të informacioneve me Autoritetet Gjermane, gjatë ditës janë kontrolluar 13 lokacione në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Vushtrri, ku janë arrestuar nëntë (9) persona të dyshimtë (disa prej tyre në flagrancë)”, është bërë e ditur në një njoftim për media.

Policia ka shtuar se bazuar në dyshimet e mbledhura gjatë hetimeve është ardhur në përfundim se ekziston dyshimi i bazuar që të dyshuarit me inicialet A.K., K.B., F.G., A.S., H.K., L.B., L.B., E.Z dhe H.B., përmes sistemeve kompjuterike kanë komunikuar përmes e-maileve dhe telefonit me viktimat, kryesisht shtetas të huaj, të cilët i kanë mashtruar dhe më pas detyruar që përmes institucioneve mikro-financiare që operojnë në Kosovë t’u dërgojnë para në vlera të ndryshme.

“Po ashtu, gjatë këtij operacioni janë sekuestruar, të gjitha provat relevante të cilat janë përdorur për kryerjen e veprave penale  Gjithashtu, në cilësi të provave janë sekuestruar: 35 (tridhjetë e pesë) shtëpiza kompjuteri; 31 (tridhjetë e një) monitorë kompjuteri; 4 (katër) laptopë; 1 (një) veturë Audi A8; 15 (pesëmbëdhjetë) telefona mobilë;  5 (pesë) USB; 53 (pesëdhjetë e tre) CD; 2 (dy) revole me gaz; 52 (pesëdhjetë e dy) copë municion; Dokumentacion i ndryshëm (fletore, dorëshkrime etj.)”, është thënë më tej në njoftim.

Me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Speciale, tetë të dyshuarit me inicialet A.K., K.B., F.G., A.S., H.K., L.B., L.B., E.Z janë dërguar në mbajtje, ndërsa, e dyshuara me inicialet H.B., është liruar në procedurë të rregullt.