Policia dhe Dogana e Kosovës parandalojnë edhe një rast të kontrabandimit me mallra nga territori i Serbisë

Policia e Kosovës dhe Dogana kanë parandaluar një përpjekje për kontrabandim me mallra përmes rrugëve ilegale nga Serbia në Kosovë.

Sipas njoftimit, nga njësitet është vërejtur një mjet i dyshuar/traktor me rimorkio të improvizuar, duke lëvizur nga Tërnoc (Bujanoc) përmes rrugëve malore që lidhen me fshatin Hodonoc të Kamenicës.

Tutje thuhet se të dyshuarit L.I. i janë gjetur të ngarkuara 330 mbledhëse uji dhe 36 rezervuarë uji për guacë të banjos.

“Pas ndalimit nga njësitë kompetente policore, në mjetin e lartcekur është identifikuar i dyshuari mashkull kosovar me iniciale L.I. ku gjatë kontrollit të mjetit janë gjetur të ngarkuara mallrat për të cilat i dyshuari nuk kishte asnjë dokument përkatës, e që janë si në vijim: 330 sifona (mbledhëse uji), 36 fontana (rezervuar uji ) për guacë të banjos”- thuhet në njoftim.

Policia ka njoftuar se lidhur me rastin të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit.

Ndërsa, me urdhër të prokurorit kompetent malli i kontrabanduar sekuestrohet dhe do të dërgohet në terminalin doganor -Dheu i Bardhë.