
Ilustrim
Polici që vdiq në ndejën në Zllatar u godit nga një plumb, disa gëzhoja u gjetën në vendin e ngjarjes
Një ndejë e organizuar nga 16 zyrtarë policorë në një vilë në fshatin Zllatar të Prishtinës përfundoi me tragjedi.
Kjo pasi që një zyrtar policor u vra me armë zjarri, ndërsa dyshimet se janë se është qëlluar nga kolegu i tij me inicialet F.M.
KALLXO.com mëson detaje të reja në lidhje me natën tragjike.
Siç mëson KALLXO.com ndeja kishte filluar nga ora 19:00. Ata fillimisht deri te vila ishin transportuar me një automjet “Jeep” nga pronari deri te vila për shkak se terreni në atë zonë është vështirë i kalueshëm me automjete të vogla.
Tutje siç mëson KALLXO.com një zyrtar policor një orë më parë ishte larguar nga festa dhe nuk kishte qenë i pranishëm kur kishte ndodhur ngjarja tragjike.
Sipas informacioneve që ka KALLXO.com, zyrtari policor me inicialet F.M., tashmë i arrestuar nën dyshimet për vrasjen, ka shkrepur një plumb i cili ka kapur policin L. Haxholli në pjesën e krahut të majtë e që më pas i ka depërtuar brenda trupit.
Përveç plumbit që kapi viktimën, KALLXO.com mëson se në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe disa gëzhoja të tjera.
Gëzhojat janë gjetur në oborrin ku ishte vila në të cilën kishin organizuar ndejën zyrtarët policorë.
Nga e gjithë ngjarja, siç ka raportuar KALLXO.com, 14 armë janë sekuestruar për t’u dërguar më pas në ekzaminim.
Në mesin e armëve të sekuestruara është edhe arma zyrtare e viktimës të cilën e kishte me vete.
Pesë persona janë arrestuar për shkaktim të rrezikut dhe përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm, një për vrasje.
Përveç të arrestuarve janë suspenduar nga puna edhe 9 zyrtarë policorë që ishin prezentë në ndejën e organizuar.
KALLXO.com gjatë ditës raportoi edhe se prokurorja e rastit Besa Limani ka kërkuar masën e paraburgimit për 6 zyrtarë policorë të arrestuar.
Sot është mbajtur seanca për masën e sigurisë për të njëjtit. Ende nuk është marrë vendimi për të njëjtit nga Gjykata e Prishtinës.
KALLXO.com raportoi në lidhje me rastin që ndodhi të premten.
14 armë zyrtare të policëve sekuestrohen pas ngjarjes së rëndë në Zllatar