Policët kufitarë në pritje të maskave të avancuara për mbrojtjen nga coronavirus

Deri më sot në Kosovë nuk ka pasur asnjë rast të infektuar me coronavirus, ndonëse në shumë vende të botës ky virus po merr qindra jetë njerëzish.

Përkundër se nuk ka asnjë të infektuar, për shkak të rrezikut institucionet janë zotuar se duhet ndërmarrë masat mbrojtëse nga ky virus.

KALLXO.com dje ka pranuar një raportim se Policia Kufitare në Kosovë nuk ka pajisje adekuate për tu mbrojtur nga coronavirusi gjatë kryerjes së detyrës së tyre.

Sipas raportimit, Policia është furnizuar me maska të cilat nuk janë adekuate për tu mbrojtur  nga ky virus.

Në lidhje me këtë rast, KALLXO.com ka kërkuar përgjigje zyrtare nga Policia e Kosovës, nëse zyrtarët policor të cilët punojnë në pikat kufitare kanë pajisje adekuate për mbrojtje.

Policia ka konfirmuar se zyrtarët policor në pikat kufitare janë pajisur me disa maska mbrojtëse.

“Policia e Kosovës me qëllim të mbrojtjes të të gjithë zyrtarëve policorë dhe në veçanti zyrtarëve në pikat kufitare, në lidhje me situatën rreth Coronavirusit ka ndërmarrë masat të menjëhershme përmes aktiviteteve nga Drejtoria e Shërbimeve Shëndetësore e Policisë  siç janë dezinfektimi, dezinsektimi dhe deratizimi në të gjitha pikat kufitare, proces i cili është në vazhdim. Me qëllim të vetëdijesimit dhe informimit ka përgatitur posterat me këshilla mjekësore si dhe ka mbajtur ligjërata informuese në të gjitha pikat kufitare me pjesëtarët e policisë dhe do të vazhdoj me njësi të tjera policore  si dhe  ka shpërndarë maska  për policët kufitarë duke përfshirë edhe pikën kufitare të Aeroportit”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Por, Policia e Kosovës tutje ka sqaruar se policëve u nevojiten edhe mjete shtesë mbrojtëse.

“Policia e Kosovës, përmes Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës dhe Komitetit për Sëmundje Ngjitëse ka kërkuar mjete shtesë mbrojtëse për policët në pikat kufitare duke përfshirë maska të avancuara mbrojtëse dhe materiale të tjera. Sipas informatave që kemi marrë nga  Komiteti për Koordinim dhe Vlerësim të Situatës Emergjente për coronavirus,  pjesëtarët e Policisë së Kosovës, nga ditët në vijim do të furnizohen me maska të avancuara për mbrojtje”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Tutje, Policia e Kosovës ka thënë se është pjesë e Komitetit për Koordinim dhe Vlerësim të Situatës Emergjente me Coronavirus dhe të gjitha aktivitetet dhe masat e deritanishme janë në koordinim të plotë me të gjitha institucionet kompetente në fushën e shëndetësisë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se në Kosovë nuk ka asnjë të prekur me coronavirus.

Përmes një komunikate Instituti ka njoftuar se nga data 08.02 deri me 03.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 42 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe të gjitha kanë rezultuar negative.

Ndërsa, vetëm gjatë ditës së sotme në Klinikën Infektive janë pranuar gjashtë raste të dyshimtë, që rezultuan negativ.

Nga këta gjashtë të dyshuar, njëri ndër ta rezultoi pozitiv me Influencë A.

Instituti ka njoftuar se nga data 01.02.2020 deri me 03.03.2020 nga aeroporti ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej 1.879 udhëtarë. Nga Aeroporti “Adem Jashari” 327 udhëtarë, Merdare 779, Vërmicë 599, Jarinje 85, Dheu i Bardhë 40, Hani i Elezit 29, Kullë 7, Qafë Morinë 7 dhe Bërnjak 6, udhëtarë.

Instituti Kombëtar të Shëndetësisë Publike ka rekomanduar të qytetarët që:

1.Të qëndrojnë në shtëpitë e veta;

2.Të evitojnë kontaktet e afërta me persona;

3.Të evitojnë përshëndetjen me shtrëngimin e duarve;

4.Të mbajnë higjienën personale dhe larjen e duarve.

5.Në rast të shfaqjes së temperaturës, kollitjes apo vështirësive në frymëmarrje duhet të paraqiten te mjeku i familjes me historikun e udhëtimit.

Coronavirusi, 42 rastet e dyshuara në Kosovë rezultuan negative