Polica parandalon kontrabandën me kafshë që hynin nga Serbia, shoferi ik arave

Policia e Kosovës ka parandaluar kontrabandimin e disa kafshëve përmes rrugëve malore nga Serbia.

Në një komunikatë për media bëhet e ditur se kafshët janë gjetur në dy automjete të braktisura në fshatin Hodonoc të Kamenicës.

“Patrullat policore kufitare (Drejtoria Rajonale Kufitare Lindje), sot më datë 09.08.2022, rreth orës 10:40, përmes rrugëve operative kanë pranuar informatë se nga territori i Serbisë, përmes rrugëve malore, është kryer kontrabandë me mallra (kafshë)” – thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

“Njësitë policore reagojnë në rast dhe në fshatin Hodonovc të Kamenicës, kanë hasur në dy automjete me të cilat po barteshin kafshët. Shoferi i njërit automjet, me të vërejtur patrullën e policisë, ka devijuar rrugën dhe ka hyrë në një rrugë dytësore, duke e lënë automjetin dhe ikur arave. Në automjet kishte të ngarkuar kafshë, gjashtë dele dhe një viç”, thuhet në komunikatë.

Tutje, sipas policisë edhe në automjetin tjetër (furgon) i braktisur, kishte dy lopë. Pra, në dy automjetet kishte gjashtë dele, dy lopë e një viç.

Në polici, më pas janë paraqitur dy të dyshuar (drejtuesit e automjeteve), F.B., (32 vjeçar, dhe F.B., (37 vjeçar), të dy me shtetësi të Kosovës.

Lidhur me këtë rast janë njoftuar inspektorët e AUV-i për verifikim dhe kontroll të gjendjes së kafshëve. Rasti, sipas policisë, është u trajtuar nga hetuesit policorë të Drejtorisë Rajonale Lindje në koordinim me Prokurorinë e Shtetit.