Po transportonte mbi 8 kilogramë marihuanë, e kishte fshehur në një "bunker" të hapur në furgon

Policia e Kosovës njofton se sot në rrugën Prizren-Prishtinë, në afërsi të Komoranit, ka arrestuar një të dyshuar për transportim të 8 kilogramë e 740 gramëve të substancës narkotike marihuanë.

“Njësitet policore dhe ato të antidrogës në bashkërendim, konkretisht NjKA (Njësia e Kontrollit të Autostradës) ka ndaluar automjetin e lartcekur kombi (furgon) afër rrethit të autostradës në hyrje të Fushë Kosovës. Është kryer kontrolla fillestare nga zyrtarët e trafikut dhe pas dyshimeve të ngritura është bërë një kontrollë më e detajuar nga hetuesit e Sektorit qendror të antidrogës ku është arritur të zbulohet një bunker (vend i kamufluar për narkotikë) në pjesën e prapme të ulëseve, ku në brendi të saj (bunkerit) kishte narkotikë të dyshuar të llojit Marihuanë” – thuhet në komunikatën e Policisë.

Tutje Policia sqaron se me urdhër të prokurorit, automjeti furgon është dërguar për kontroll më të detajuar nga njësitet kompetente të Policisë dhe nga bunkeri janë nxjerrë dhe sekuestruar 12 paketime të plastikës me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.

Sipas Policisë, si dëshmi nga i dyshuari janë sekuestruar: 60.450 lekë, 329 euro, 250 funta të Anglisë si dhe dy telefona celuarë “Nokia” me sim kartelë të Kosovës, kurse një Iphone me sim kartelë të Shqipërisë.

“Pas matjes së dymbëdhjetë (12) paketimeve me narkotikë pasha e tyre ka rezultuar të jet: tetë (8) kilogram e 740 gramëve. I dyshuari është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit pas intervistimit nga hetuesit e antidrogës ndalohet për 48 orë për procedura të mëtejme” – thuhet në komunikatë.

Tutje Policia njofton se sot në një operacion tjetër policor të antidrogës në Prizren me urdhër të organeve të drejtësisë është realizuar një bastisje me ç’rast është arrestuar një person i dyshuar i cili ndodhej në kërkim, si dhe janë sekuestruar dëshmi relevante për procedurë ligjore.