Pezullohen punimet e restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë dhe Bashkimi Evropian kanë pezulluar restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë.

“UNDP së bashku me BE-në kanë pezulluar punën në vend”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Në njoftim thuhet se shprehin keqardhje për çdo ofendim të paqëllimshëm të shkaktuar në këtë rast.

“UNDP dhe Bashkimi Evropian shprehin keqardhjen tonë të fortë për çdo ofendim të paqëllimshëm të shkaktuar me rastin e njoftimit për fillimin e punimeve duke lënë jashtë sfondin historik të Xhafer Devës”, thuhet tutje.

Restaurimi i shtëpisë së Xhafer Devës ka ngjallur polemika ditëve të fundit në Kosovë sidomos për shkak të informatave se ai ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i nazistëve gjermanë gjatë Luftës së  Dytë botërore.

Në fillim të këtij muaji, Ministria e Kulturës njoftoi për fillimin e restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës.

Kjo shtëpi është monument në mbrojtje të përkohshme.

Për planet e MKRS për restaurimin e këtij monumenti kishte reaguar përmes një postimin në Twitter ambasadori gjerman Jorn Rohde.

Ambasadori Rohde kishte thënë se është i shqetësuar me planet për restaurimin e shtëpisë së Devës, siç ka potencuar ai, bashkëpunëtorit të nazistëve gjermanë.

Më pas kishte reaguar ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Ai kishte komentuar reagimin e ambasadorit gjerman në Kosovë për restaurimin e kësaj shtëpie.

Përmes një postimi në Facebook, Çeku kishte shkruar se monumenti është pronë publike dhe se ka vlera të mëdha estetike dhe për nga tipologjia e ndërtimit.