Pësoi lëndime të rënda nga rrëzimi i lisit në Prishtinë, qytetarja dërgohet jashtë vendit për trajtim

Qytetarja e cila dje pësoi lëndime nga rrëzimi i lisit në Prishtinë është dërguar jashtë vendit për trajtim mjekësor.

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com mjeku i QKUK-së, Sami Bajçinca.

Sipas Bajçincës, pacientja është transferuar mbrëmë në Shkup.

“Pacientja mbrëmë është transferuar në orët e vona në Shkup për trajtim. Ajo është transferuar në Shkup me rekomandim të ortopedes për shkak të lëndimeve serioze të boshtit kurrizor”, ka thënë Bajçinca.

Tutje, mjeku ka treguar se lëndimet e pacientes janë të rënda, lëndime këto që, sipas tij, nuk trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“Disa intervenime bëhen, varësisht nga niveli i dëmtimit, mirëpo kjo ka pasur lëndime serioze të cilat nuk kryhen te ne”, ka thënë ai.

Bajçinca ka bërë të ditur se pacientja ka të lënduar unazën e parë të qafës dhe dy unaza në nivel kraharori.

Sipas mjekut, për shkak të natyrës së lëndimeve gjasat janë që pacientja të mbetet e paralizuar.

Qytetarja është lënduar dje pasdite kur një lis është rrëzuar nga erërat e forta dhe ka rënë mbi të dhe një qytetar tjetër rreth 30-vjeçar, i cili ka vdekur në vend.

Prishtinë, një i vdekur nga lisi i rrëzuar nga erërat e forta