Pesë raste të dhunës në familje raportohen brenda një dite në Polici

Pesë raste të reja të dhunës në familje janë raportuar brenda një dite në Policinë e Kosovës.

Bazuar në raportin e fundit 24-orësh të Policisë, tri nga këto raste janë raportuar në Pejë, një në Prishtinë dhe një tjetër në Brezovicë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se pas raportimeve të këtyre rasteve janë arrestuar gjashtë të dyshuar, por vetëm dy prej tyre janë dërguar në mbajtje për 48-orë.

Në raportin e Policisë është thënë se më 17.03.2024 në 12:00h në Pejë është arrestuar një i dyshuar pasi kishte ushtruar dhunë ndaj viktimës, pas “një zënke të çastit”.

Mendim të prokurorit, i dyshuari pas inicimit të rastit është liruar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

Rasti i dytë i raportuar po ashtu në Pejë më 17.03.2024 në 18:30h. I dyshuari është arrestuar me pretendimin se ka ushtruar dhunë ndaj viktimës pas një mosmarrëveshjeje me të.

PK thekson se me vendim të prokurorit, i dyshuari pas inicimit të rastit është dërguar në qendrën e ndalimit për 48 orë.

Edhe një rast tjetër i dhunës në familje ka ndodhur në Pejë më 17.03.2024 në 18:30. Në këtë rast janë arrestuar dy të dyshuar pasi që pas një zënke ishin përfshirë në konflikt fizik në mes vete.

Policia ka thënë se personat e dyshuar nuk kanë pasur lëndime trupore dhe pas intervistimit, me urdhër të prokurorit kujdestar te dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

Në PK është raportuar edhe një rast i dhunës në familje i ndodhur në Prishtinë, më 16.03.2024 në 21:30h.

Policia ka njoftuar se kanë arrestuar të dyshuarin, pasi që ai, pas një mosmarrëveshjeje ka sulmuar fizikisht viktimën.

Në raport thuhet se viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Edhe në Brezovicë, më 17.03.2024 në 16:45h ka ndodhur një rast i dhunës në familje.

Policia raporton se i dyshuari kishte kanosur verbalisht viktimat dhe se në lidhje me rastin janë njoftuar prokurori kujdestar dhe organet tjera kompetente.

Me vendim të prokurorit, siç njofton Policia, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.