Foto: Policia e Shtetit - Shqipëri

Persona të infiltruar, përgjime e filmime - Si erdhi deri te arrestimi i asamblistit të LVV-së

Besnik Mujeci, asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë është arrestuar sot gjatë ditës në Tiranë bashkë me katër persona të tjerë nën dyshimet për trafikim me narkotikë.

Lidhur me këtë arrestim, KALLXO.com ka kontaktuar me prokurorin e rastit, Ndini Tavani, i cili shkurtimisht ka dhënë detaje për këtë arrestim.

Deri te arrestimi pati bashkëpunim në mes disa organeve të drejtësisë e forcave të rendit, e madje u përdorën edhe disa masa të fshehta.

Prokurori Ndini Tavani tha për KALLXO.com se janë marrë disa veprime duke u përdorur persona të infiltruar me përgjime ambientale, filmime dhe fotografi.

Për asamblistin në fjalë, Lëvizja Vetëvendosje ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj tij.

Zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka, ka bërë të ditur se Komisioni Disiplinor do të mbajë sot një mbledhje urgjente.

“Me të marrë informacionin kemi iniciuar menjëherë procedurën disiplinore me ç’rast Komisioni Disiplinor i LV-së do të mbajë mbledhje urgjente për të trajtuar rastin në fjalë. Pas mbledhjes do t’ju njoftojmë mbi vendimin” – ka thënë Manxhuka për KALLXO.com.

Të arrestuarin tashmë, LVV-ja e kishte vendosur si aksionar në ndërmarrjen lokale “Stacioni i Autobusëve” në Prishtinë në qershor të këtij viti.

Policia e Shtetit ka njoftuar se në operacioni ku u arrestua Mujeci, janë arrestuar edhe Mithat Ramadani 30 vjeç po ashtu banues në Prishtinë dhe Kalem Picari, 24 vjeç, Ambra Myftari 28 vjeçe, Daniel Avdija 26 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Operacioni në fjalë është koduar “Punisher 2”, e Policia ka thënë se shtetasit e arrestuar janë lokalizuar në kryqëzimin e rrugës “Myslym Shyri” dhe “Sami Frashëri”.

Ata janë kapur së bashku me dërgesën me lëndë të dyshuar narkotike, prej 11 mijë e 300 tabletash ekstazi MDMA, me peshë 5.093 kilogramë dhe vlerë tregu rreth 400 mijë euro.

Konfirmohet arrestimi i asamblistit të Vetëvendosjes, dyshohet për trafikim të narkotikëve