Përplasje për energjinë elektrike mes Haradinaj dhe Kurtit - Po na kthehet terri sikur paslufte

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se reduktimet e energjisë elektrike në vend po e kthejnë gjendjen e pasluftës dhe ka kërkuar përgjigje nga qeveria lidhur me refuzimet e projekteve për energjinë elektrike.

“Temperaturat kanë fillu me ra dhe njëkohësisht edhe reduktimet kanë fillu, pra po na kthehet terri. Dikur pas lufte kemi pas gjenerator secila shtëpi, ndërsa sot me gjasë po hyjmë në një krizë energjetike”, ka thënë Haradinaj.

Ai përmendi dy veprime të Qeverisë Kurti lidhur me projektet për energjinë elektrike.

“Duke pasur parasysh dy veprime të Qeverisë Kurti, Vetëvendosjes dhe aleatëve të tyre, jam i shqetësuar për të ardhmen e energjetike të vendit tonë. Refuzimi i investimit në Kosovën e re, investim privat, mbi 1.2 miliardë dollar investim amerikan. Njëkohësisht Kurti me ardhjen e tij në Qeveri i tha jo edhe një projekti për diversifikimin e energjisë pra edhe për një alternativë në energji, pra gazsjellësit prej Shkupit, 200 milionëve amerikan falë, na la edhe pa këtë projekt. Çfarë është qëllimi i juaj, a është qëllimi me e lanë Kosovën pa kapacitete energjike dhe nëse po në interes të kujt”, ka shtuar Haradinaj

Haradinaj përmendi edhe çështjen e energjisë elektrike në Veri të Kosovës.

“Tregona si me i mbulu këto humbje sepse raportet e KEDS, KESKO, KOST janë alarmante, por tregona si me i mbulu  për të gjithë Kosovën dhe jo vetëm për Veri se atje e kemi pa që jeni të zot”, tha ai.

Pyetjes të Ramush Haradinaj u përgjigj kryeministri Kurti i cili tha se rajoni ynë por edhe më gjerë ndodhen tash e shumë kohë në krizë energjetike.

“Në mbledhjen e fundit e kemi adresuar krizën energjetike, që po na troket në derë, por në jemi të fundit që po na kaplon kriza, rajoni ynë por edhe më gjerë ndodhen tash e shumë kohë në krizë energjetike. Çmimet e energjisë elektrike në bursë janë shumëfishuar dhe nuk mund të ngelet as tek ne një situatë e favorshme përderisa vazhdojmë të paguajmë vetëm 7 cent për kilovat në orë. Është e vërtetë që po blejmë shtrenjte e po shesim lirë. Bashkë me ministrat e linjës me KEK-un , KOST-in dhe ZRrE po punojmë të zgjidhim më mirë në mënyrë që të kemi furnizim të qëndrueshëm dhe ta zbusim krizën energjetike që nuk jemi vetëm ne”, tha Kurti.