Shkabaj, Foto: Adelina Ahmeti; 30.05.2024

Përleshjet fizike me Policinë e të qarat e qytetarëve - Çka ndodhi sot në Shkabaj?

Një objekt që pretendohet se u nis për t’u bërë xhami u bë shkak i përplasjeve edhe fizike mes pjesëtarëve të Policisë dhe disa qytetarëve gjatë aksionit të Inspektoratit të Komunës për ta rrënuar objektin pa leje në Shkabaj të Prishtinës të enjten, më 30.05.2024.

Pjesëtarët e Policisë kishin shkuar për të shoqëruar Inspektoratin e Komunës së Prishtinës për të rrënuar objektin që ka filluar të ndërtohet në fshat.

Disa banorë të fshatit po e kundërshtonin aksionin e Inspektoratit.

Në disa momente pati edhe përplasje fizike mes banorëve e policëve.

Policia në një rast përdori edhe sprej për të larguar banorët, të cilët patën një iniciativë që hyjnë aty në objekt.

Një nga banorët që nuk pranonte as të largohej nga objekti në fjalë kërcënonte edhe se do ta lëndonte veten.

“Jam i operuar, në hekra ngulem nëse tentoni me më rrëzu. Tre minuta i keni fore, nëse nuk largoni, kam me u gjujtë, me mytë veten” – – dëgjohej duke i thënë Policisë.

I njëjti në disa momente teksa qëndronte mbi themelet e objektit shihej edhe duke qarë.

Situata përfundoi pasi forcat e rendit dhe makineritë që ishin sjellë aty u larguan.