Përkeqësohen shifrat, në Spitalin e Gjilanit katër pjesëtarë të stafit të infektuar me COVID-19

Një pediatër, dy infermiere dhe një person tjetër i stafit të mirëmbajtjes së Repartit të Pediatrisë në Spitalin Rajonal të Gjilanit kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli.

“Po janë një doktor, dy infermiere dhe një person i mirëmbajtjes. Gjendja e tyre është e mirë, kanë simptoma por janë në vetizolim”, ka thënë Ismajli për KALLXO.com.

Gjithashtu KALLXO.com raportoi se për shkak të rasteve të reja me coronavirus, është dhënë vendimi që Reparti i Pediatrisë në Spitalin e Gjilanit të mbyllet.

Ismajli gjithashtu ka treguar se sot pritet të merren deri në 70 mostra, kryesisht kontakte të të prekurve me coronavirus.

Mbrëmjen e kaluar, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se gjithsej 14 persona kanë dal pozitiv me coronavirus.

Ky rast shënon edhe rastin e parë që një Klinikë Shëndetësore mbyllet për shkak të coronavirusit.

KALLXO.com ka raportuar ditëve të kaluara se një punonjëse shëndetësore në një spital privat në Prishtinë ishte infektuar me coronavirus.

Siç mëson KALLXO.com, punëtorja shëndetësore dyshohet se është burimi i infeksionit të rasteve të reja në Komunën e Gjilanit të cilat u konfirmuan mbrëmjen e kaluar.

Stafi i infektuar në Pediatrinë e Gjilanit, Komuna mbyll spitalin