Stafi i infektuar në Pediatrinë e Gjilanit, Komuna mbyll spitalin

Komuna e Gjilanit ka marrë vendim që të mbyllet Reparti i Pediatrisë në Spitalin Rajonal të Gjilanit.

Kjo për arsye se një doktor, dy infermiere dhe një tjetër person i stafit të mirëmbajtjes në po të njëjtin repart kanë dalë pozitiv me coronavirus mbrëmë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli.

“Gjendja e të infektuarve është e mirë, kanë simptoma të infektimit por janë në vetizolim. Kemi dhënë vendim që të mbyllet Reparti i Pediatrisë në Spitalin e Gjilanit”, tha Ismajli.

Tutje ai shtoi se vetëm sot priten të merren deri në 70 mostra të kontakteve të personave që dolën pozitiv me coronavirus.

Mbrëmjen e kaluar, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se gjithsej 14 persona kanë dal pozitiv me coronavirus.

Ky rast shënon edhe rastin e parë që një Klinikë Shëndetësore mbyllet për shkak të coronavirusit.

KALLXO.com ka raportuar ditëve të kaluara se një punonjëse shëndetësore në një spital privat në Prishtinë ishte infektuar me coronavirus.

Siç mëson KALLXO.com, punëtorja shëndetësore dyshohet se është burimi i infeksionit të rasteve të reja në Komunën e Gjilanit të cilat u konfirmuan mbrëmjen e kaluar.