Përfundon seanca e Kuvendit për sot, vazhdon nesër nga ora 10:00

Pas më shumë se 5 orëve debat në lidhje me takimin e 4 shtatorit në Uashington në mes të Kosovës dhe Serbisë, ka përfunduar seanca e Kuvendit të Kosovës.

Në këtë seancë kryeministri Avdullah Hoti raportoi në lidhje me takimin e 4 shtatorit.

Kjo nxiti debat në mes të pozitës dhe opozitës, se a ishte marrëveshje e mirë për Kosovën apo jo.

Seanca do të vazhdojë nesër nga ora 10:00, ku në rend dite janë edhe 8 pika të tjera.

Deputeti nga rradhët e Lëvzijes Vetëvendosje, Hajrulla Çeku ka kërkuar nga kryeministi, Avdullah Hoti, që të tregojë se cilat pika të Marrëveshjes të nënshkruar me 4 shtator në Uashington, ishin kërkesa të palës kosovare në negocim.

“Për njohje nga Izreali keni thënë se nuk e keni ditur, pika për diplonma është pikë e përsëritur, cështja e Ujmanit si përfundoj aty, a ishte kërkesë e palës kosovare. Po pika për garanci shtesë për kishat ortodekse. Prandaj na tregoni cilat pika kanë qenë të Kosovës e që janë realizuar”, ka thënë Çeku.

Ndërsa, Zëvendëskryeministri nga rradhët e LDK-së, Driton Selmanaj, gjatë seancës së Kuvendit ka thënë se Marrëveshja e 4 shtatorit e nënshkruar në Uashington nuk nxjerr detyrim për ratifikim në Kuvend.

Duke folur për këtë Marrëveshje, ai tha se ky është hapi më i madh që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës dhe është hap i madh drejt njohjes.

“Mundemi të mos pajtohemi, por që nga viti 2008 nuk kemi qenë qendërr fokus i vecantë i SHBA-ve. Goditjen më të madhe i kemi dhënë në vitin 2015, me gaz lotësjellës, e Zajednicë, e deri tek paranojë për të shkuar te SHBA-ve”, tha Selmanaj.

Ndërsa ky është rendi i ditës dhe pikat që do të vazhdojnë nesër:

  1. Interpelanca e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, z. Ramë Likaj, sipas kërkesës së nënkryetares së Kuvendit, znj. Arberije Nagavci, e nënshkruar edhe nga 7 deputetë tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me përgatitjet për fillimin e vitit shkollor në kushte të pandemisë COVID-19 në Republikën e Kosovës;
  2. Interpelanca e ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Agim Veliu, sipas kërkesës së deputetes Fatmire Kollçaku, e nënshkruar edhe nga 9 deputetë tjerë nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, në lidhje me hyrjen dhe patrullimin e pjesëtarëve të uniformuar të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, përkatësisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës;
  3. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e Pandemisë “COVID-19”,
  4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 03/L-048 për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, i plotësuar dhe i ndryshuar me Ligjin nr. 03/L-221, me Ligjin nr. 04/L-116, me Ligjin 04/L-194, me Ligjin 05/L-063, dhe me Ligjin 05/L-007;
  5. Shqyrtimi i rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike në lidhje me Raportin e Auditimit të pasqyrave vjetore financiare të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe sporteve për vitin 2019;
  6. Zgjedhja e dy (2) anëtarëve joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës;
  7. Zgjedhja e gjashtë (6) anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore;
  8. Propozimi i GP të PDK-së për zëvendësimin e anëtarëve në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit “COVID-19” nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës.