Takimi i zyrtarëve serb në Komunën e Zveçanit. Foto: KALLXO.com

Përfundon mbledhja në Zveçan, paralajmërojnë lëshimin e institucioneve të Kosovës

Për më shumë se dy orë ka zgjatur mbledhja dhe takimi në të cilën morën pjesën zyrtarë komunal të katër komunave në veri të Kosovës, komandantë policorë, Lista Serbe dhe pjesëtarë të tjerë të institucioneve nga komuniteti serb.

Mbledhja mes zyrtarëve të katër komunave serbe në veri të vendit u mbajt në sallën e Kuvendit Komunal të Zveçanit.

Kryetari i këtij kuvendi, Srgjan Milosavleviq para të pranishmëve dhe mediave lexoi deklaratën e përbashkët të katër komunave e përbërë nga 6 pika.

Në këtë deklaratë thuhej se komunat serbe në veri të Kosovës i japin përkrahje të plotë presidentit serb, Aleksandar Vuçiq që të gjej një zgjidhje të qetë dhe në interes të qytetarëve që jetojnë në veri të Kosovës.

“Serbët e katër komunave veriore i japin përkrahje të plotë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq që në 7 ditët e ardhme të arrijë zgjidhje për tabelat dhe dokumentet personale” – thuhet në pikën e parë të deklaratës.

“Kërkojmë formimin urgjentisht të asociacionit të komunave” – ishte një tjetër pikë të cilën e përmendi Milosavleviq.

Gjithashtu në deklaratë komunat kanë ftuar KFOR-in dhe organizatat tjera ndërkombëtare që në emër te rezolutës 1244 të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme.

“Ftohet KFOR-i që në harmoni me Rezolutën 1244 dhe Marrëveshjen e Kumanovës të garantojë siguri e paqe për të gjithë dhe të mos bëhen instrument i institucioneve të Prishtinës. Ftojmë KFOR-in që të mos lejojë ardhjen e njësive të armatosura speciale të Kosovës, të cilat janë kundër serbëve dhe sigurisë së tyre” –  thuhet në njërën nga pikat tjera që u miratuan gjatë kësaj mbledhje.

Milosavleviq theksoi se kanë marrë garanci nga presidenti serb Vuçiq dhe nuk do të lejojnë siç potencoi ai ‘dëbimin e serbëve nga Kosova’.

“Ftohen serbët e Kosovës që të mos pranojnë vendimet e Qeverisë së Kosovës për targat e automjeteve dhe dokumentet personale. Përfaqësuesit serbë do të vazhdojmë të përfaqësojmë interesat serbe. Kemi marrë mbështetjen e Vuçiqit se nuk do të lejohet përndjekja e popullatës serbe” – thuhet në deklarimin e katër komunave.

Në pikën e fundit, Milosavleviq potencoi se nëse nuk ka zgjidhje, zyrtarët serbë do të lëshojnë të gjitha institucionet e Kosovës duke përfshirë edhe policinë dhe gjyqësorin.

“Nëse nuk vjen deri të zgjidhja e kompromisit, ne do të marrim vendim që të lëshojmë institucionet e Kosovës në të gjitha institucionet, si ato lokale e qendrore, por edhe institucionet e rendit dhe gjykatat” – përfundoi Milosavleviq deklarimin.

Pas kësaj deklaratë të gjithë të pranishmit në shenjë përkrahje u ngritën në këmbë dhe duartrokitën.

Kujtojmë se në mbledhjen e sotme të mbajtur në Zveçan, kanë marrë pjesë edhe komandantë të stacioneve policore të policisë së Kosovës që janë në veri të vendit.

Ata janë parë në këtë takim të uniformuar ndërsa ani pse jo me duartrokitje siç bënë të tjerët, u ngritën në këmbë në shenjë përkrahje të deklaratës që u lexua nga Kryesuesi i Kuvendit të Zveçanit në emër të katër komunave serbe në veri të Kosovës, Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovica Veriore.

KALLXO.com ka kërkuar edhe sqarime nga ana e Policisë së Kosovës konkretisht drejtori Samedin Mehmeti dhe Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla të dijë se a kanë qenë në orar të punës komandantët që u panë në takimin e sotëm.

Gjithashtu sqarime është kërkuar edhe për pjesëmarrjen e tyre në mënyrë të informuar me llogo të Policisë së Kosovës.

Deri në publikimin e këtij shkrimi KALLXO.com nuk ka pranuar asnjë përgjigje.

Zyrtarë shtetërorë serbë mblidhen në Zveçan, flasin për sigurinë dhe situatën politike