Përfundon gjykimi për krime lufte në Krushë të Vogël, të hënën merret vendimi

Në mesin e protestave, sot është mbajtur seanca e fundit në gjykimin e Darko Tasiq, i akuzuar për krime lufte në Krushë të Vogël të Prizrenit.

Pasi prokurorja Drita Hajdari dhe mbrojtësit e të akuzuarit Darko Tasiq dhanë fjalët përfundimtare në këtë rast, gjykata e ka shpallur gjykimin e përfunduar.

22 qershori është caktuar data  për shpalljen e vendimit të gjykatës, në një seancë që do të mbahet  nga ora 13:30.

Darko Tasiq, i cili deri në vitin 1999 kishte jetuar në Krushë të Vogël bashkë me familjen e tij, tash po akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës për vepra krime të luftës kundër popullatës civile shqiptare.

Tasiq dje kishte dalë para gjykatës pas 2 viteve që kur ka filluar gjykimi, por në kohën kur i erdhi koha të paraqiste mbrojtjen e tij nuk e tha asnjë fjalë para trupit gjykues.

“Do të mbrohem në heshtje”, u deklarua i akuzuari Tasiq, duke e shfrytëzuar të drejtën e tij që të mos deklarohet dhe të mbrohet në heshtje.

Sot, banorë të Krushës së Vogël kanë protestuar para Gjykatës së Prizrenit për të kërkuar drejtësi lidhur me krimet e luftës.

(FOTO) Banorët e Krushës së Vogël protestojnë para gjykatës