I dënuari Darko Tasiq në Gjykatën e Prizrenit (Arkiv) - Foto: KALLXO.com

Masakra në Krushë të Vogël, gjykimi i Darko Tasiqit drejt fundit

Gjykimi i Darko Tasiqit, i akuzuar për masakrën ndaj bashkëfshatarëve të tij shqiptarë në Krushë të Vogël të Prizrenit, po i afrohet fundit.

Tasiq nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës po gjykohet për krime lufte kundër popullatës civile.

Kur ka kaluar gati një vit e gjysmë nga seanca e parë, procedura gjyqësore në këtë rast ka arritur në fazën finale.

Të gjithë dëshmitarët e propozuar nga prokurorja Drita Hajdari janë dëgjuar dhe kanë paraqitur dëshmitë e tyre para trupit gjykues.

Gjykimi për krime lufte, dëshmitari rrëfen si dëgjoi britmat e viktimave në kamionin e djegur

Dy dëshmitarët e fundit, Sadri Velija dhe Qamil Shehu, kanë qenë të vetmit që nuk kanë arritur të dëshmojnë.

Kjo për arsye se dëshmitari Qamil Shehu nga raportet mjekësore që ka marrë Gjykata e Prizrenit është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe nuk ka mundësi të dëshmojë.

Ndërsa dëshmitari Velija sipas njoftimit që ka marrë Gjykata, nuk është në Kosovë dhe nuk është e mundur të dëgjohet dëshmia e tij.

Për dëshmitarin Qamil Shehu prokurorja Drita Hajdari propozoi që deklarata e tij e mëhershme të lexohet si e vlefshme, Ndërsa, për dëshmitarin Velija, prokurorja u tërhoq nga propozimi që i njëjti të dëgjohet si dëshmitar, pasi ai ndodhet me banim dhe punë jashtë Kosovës andaj që procedura të mos zvarritet prokurorja Drita Hajdari tha që deklarata e tij e mëhershme të mos merret si provë.

Mbrojtësi i të akuzuarit Tasiq, avokati Lubomir Pantoviq e kundërshtoi leximin e deklaratës së dëshmitarit Qamil Shehu, por trupi gjykues me kryetarin Artan Sejrani mori vendim që deklarata e Qamil Shehut të lexohet, e pastaj është në vlerësimin e trupi gjykues që secilën deklaratë e provë ta vlerësojë veç e veç.

Prokurorja speciale Drita Hajdari si provë të këtij rasti kishte të propozuar dokumentarin “Serb genocide against albanians” (Gjenocidi serb kundër shqiptarëve) të gazetarit me origjinë angleze John Sweeney.

Pos kësaj, prokurorja Drita Hajdari kishte propozuar që ky gazetar të dëgjohet edhe si dëshmitar, eventualisht të ftohet në Gjykatë ose të bëhet dëgjimi i tij si dëshmitar përmes video-lidhjes.

Gjyqtari Artan Sejrani njoftoi që autoritetet angleze kanë kërkuar informata shtesë para se gazetari të dëgjohet si dëshmitar në këtë proces gjyqësor.

Prokurorja Drita Hajdari tha se këto informata i ka përcjellë për tek autoritetet angleze ashtu siç kanë kërkuar.

Gjithashtu, ajo tha se ka komunikuar me zyrtarë nga Ministria e Drejtësisë, më saktësisht me drejtorin e Departamentit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar, dhe sipas prokurores Ministria e Drejtësisë e ka përmbushur obligimin e saj dhe tashmë janë në pritje të përgjigjes nga autoriteti angleze.

https://kallxo.com/shkurt/gjykimi-per-masakren-ne-krushe-te-vogel-ministria-e-drejtesise-nuk-i-pergjigjet-gjykates/

Data 16 shtator është dita kur pritet të vazhdojë gjykimi dhe dita kur Gjykata pritet të marrë përgjigje nga autoritetet angleze për dëshmitarin John Sweeney.

Të gjitha provat e tjera të propozuara nga prokurorja Drita Hajdari, janë lexuar dhe administruar ashtu siç e sheh procedura penale.

Meqenëse mbrojtësit e të akuzuarit nuk kishin propozime për dëshmitarë të tjerë, në seancat e radhës pritet që i akuzuari Darko Tasiq të japë mbrojtjen e tij para trupit gjykues.

Pas mbrojtjes së të akuzuarit, mbrojtësit dhe Prokuroria japin edhe fjalën përfundimtare dhe vazhdohet me shpalljen e vendimit gjyqësor.

Kallxo.com ka raportuar nga të gjitha seancat e zhvilluara në rastin Darko Tasiqit.