Përfundon e qetë protesta në Graçanicë

Me dhjetëra qytetarë u mblodhën ditën e sotme pranë ndërtesës së komunës dhe stacionit policor në Graçanicë.

Në mënyrë paqësore, protestuesit pas gati 1 ore u shpërndanë të qetë.

Në afërsi të tyre, gjatë gjithë protestës kanë qëndruar edhe ekipe të Policisë së Kosovës.

Protestuesit, patën një marshim edhe deri tek manastiri i Graçanicës dhe më pas u shpërndanë.

Po ashtu, ende pa arritur tek komuna, gjatë ditës janë parë edhe dy ekipe të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Sot është dita e tretë prej kur qytetarët serb protestojnë në Graçanicë pas arrestimit të Millenkoviq, i cili po dyshohet se ka kryer krime lufte në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.

Millenkoviq është sjellë më 22 qershor 2023 para Gjykatës së Prishtinës dhe ndaj tij është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Policia ka thënë se ndaj Millenkoviq janë siguruar prova për ekzistimin e dyshimit të arsyeshëm se në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë, gjatë periudhës së luftës në Kosovë në cilësi të personave zyrtar (gardian të burgut) në Prishtinë dhe në paralelen e ndarë nga Prishtina, konkretisht në burgun e Lipjanit, në mënyrë sistematike, dyshohet se kanë ushtruar torturë, dhunë fizike, psikike, keqtrajtime dhe maltretime çnjerëzore dhe të skajshme për jetën ndaj të burgosurve shqiptarë.

Policia kanë kryer edhe kontroll në shtëpinë e të dyshuarit, ku në cilësi të provave materiale janë sekuestruar një armë zjarri, 136 fishekë, një thikë ushtarake, një shumë metalike, dokumente, vendime, shënime dhe një telefon personal dhe gjëra të tjera të cilat do të përdoren gjatë trajtimit të rastit.

Protesta në Graçanicë, qytetarët fillojnë të grumbullohen