Komuna e Graçanicës.

Protestë në Graçanicë, policia njofton për mbyllje të rrugës Prishtinë-Gjilan

Rruga kryesore Prishtinë-Gjilan do jetë e mbyllur për qarkullim të automjeteve nga ora 11:30 pasi disa qytetarë serbë kanë paralajmëruar protestë pas arrestimit të një banori të kësaj komune nën dyshimin për krime lufte.

“Policia e Kosovës, me qëllim të mbarëvajtjes së protestës së paralajmëruar, që do të mbahet sot në Graçanicë, duke filluar nga ora 11:30 e deri në përfundim të protestës, do të ridrejtoj trafikun për automjetet që qarkullojnë nga Prishtina në Gjilan dhe anasjelltas, pasi që rruga kryesore në Graçanicë nuk do të jetë e qarkullueshme për trafik deri në përfundim të protestës” – thuhet në njoftim.

Tutje, policia bënë thirrje që të përdoren rrugët alternative për qarkullim.

“Andaj për të përballuar sa më lehtë rrethanat që do të paraqiten në qarkullimin rrugor, kërkojmë ndihmën dhe mirëkuptimin e të gjithë pjesëmarrësve në trafik që përgjatë kohës sa do të zgjatë protesta të shfrytëzojnë rrugët alternative” – thuhej më tej në njoftimin e policisë.

D.M, është arrestuar gjatë ditës së mërkurë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës me vendim të Prokurorisë Speciale të Kosovës, nën dyshimet për krime lufte në Kosovë mes viteve 1998-99.

Një grup i qytetarëve kanë protestuar edhe të mërkurën në Graçanicë.

Arrestohet një serb i dyshuar për krime lufte në Kosovë, policia konfiskon armë e fishekë në shtëpinë e tij