Përfaqësuesi i specilizantëve, Arianit Zajmi: Takimi me ministrin Murati më zhgënjyesi në jetën time

Specializanti i neurologjisë, njëherit kryetari i Këshillit të specializantëve, Arianit Zajmi, së bashku me disa përfaqësues të tjerë të specializantëve javën e kaluar janë takuar me ministrin e Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, mirëpo takimin me ministrin ai e cilëson si ‘takimin më zhgënjyes në jetën e tij’.

“Na është thënë se nëse është në interesin tonë që me u largu nga vendi atëherë ne mund të largohemi. Edhe për kundër faktit që takimi ka qenë shumë zhgënjyes ne prapë kemi vazhdu dhe jemi t`u protestu”, u shpreh i shqetësuar ai.

Specializantët me financim të rregullt dhe specializantët me vetëfinancim kanë protestuar përsëri sot para objektit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Specializantët me financim rë rregullt kërkojnë që t’u paguhen orët e kujdestarisë, përderisa ata me vetëfinancim kërkojnë të përfshihen në ligjin për paga.

“Kërkesat tona kanë hasur në vesh të shurdhër. Do të vazhdojmë me protesta deri sa të realizohen kërkesat tona. Nuk duam t’i japim kahje politike protestës, jemi njerëz me halle sepse punojmë vetëm në sektorin publik – jo privat nuk kemi mbështetje nga institucionet e shtetit”, tha ai gjatë konferencës për media.

Specializantja e kirurgjisë plastike, Amire Demolli, thotë se mbanë 120 orë kujdestari në muaj. Ajo shprehet e shqetësuar për faktin se paguhet vetëm 79 centë për orë të kujdestarisë.

“Mua këto orë të kujdestarive më paguhen vetëm 79 centë për orë, ndërsa kolegëve të mi të cilët nuk kanë kode nuk u paguhen kujdetaritë”, tha ajo

Specilizantët i bën thirrje kryeministrit dhe ministrit të Shëndetësisë që të bëjnë një zgjidhje për ta.

Sot ka qenë protesta e dytë e specializantëve përmes së cilës ata kanë shprehur pakënaqësitë e tyre.

Në korrik të vitit të kaluar Ministria e Shëndetësisë në krye me Armend Zemaj hapi konkursin për shkollim specialistik në nivel vendi. Procesi i specializimit të mjekëve nuk ishte bërë për katër vite. Në atë konkurs kishin aplikuar mbi 1 mijë mjekë.

Ndarja e buxhetit për specializantët me vetëfinancim bëhet në kuadër të ndarjeve të subvencioneve por jo nga buxheti i rregullt i Qeverisë së Kosovës, ndërsa kërkesa e specializantëve me vetëfinancim është që të hynë në paga të rregullta, pra të ndahet buxhet i veçantë për ta.

Në anën tjetër, nga Ministria e Shëndetësisë për KALLXO.com thonë se për subvencionimin e specializantëve me vetëfinancim kanë ndarë 2,8 milionë euro.

Sipas statistikave të Ministrisë së Shëndetësisë, në shtatë spitalet rajonale në vend janë 661 mjekë specialistë.

Protesta e Specializanteve 09.12.2021 FOTO:KALLXO.com
Protesta e Specializanteve 09.12.2021 FOTO:KALLXO.com
Protesta e Specializanteve 09.12.2021 FOTO:KALLXO.com
Protesta e Specializanteve 09.12.2021 FOTO:KALLXO.com